Kreu i opozitës së Bjellorusisë thotë se greva e përgjithshme do të fillojë të hënën

Periskopi.com Lajme

Liderja opozitare Sviatlana Tsikhanouskaya paralajmëroi sot se një grevë e përgjithshme do të fillojë nesër pasi qeveria e presidentit Alexander Lukashenko iu përgjigj me forcë protestave kundër tij.

Tsikhanouskaya kishte vendosur më parë një “ultimatum të popullit” që Lukashenko të jepte dorëheqjen deri sonte në mesnatë, duke premtuar të thërriste një grevë të përgjithshme nëse ai nuk e bën këtë.

“Regjimi edhe një herë u tregoi bjellorusëve se forca është e vetmja gjë për të cilën është e aftë. Kjo është arsyeja pse nesër, 26 tetor, do të fillojë një grevë kombëtare,” tha ajo.

Ndryshe, më shumë se 100.000 qytetarë protestuan sot kundër presidentit autoritar Alexander Lukashenko, pak para skadimit të afatit të dhënë nga opozita për të dhënë dorëheqjen.

Protestuesit u përleshën me policinë në Minsk dhe shërbimet e sigurisë hodhën të paktën 10 bomba shoku ndaj tyre, raporton Reuters.

Media lokale raportoi se disa nga gazetarët që mbulonin protestën ishin arrestuar.

Policia arrestoi disa demonstrues në qytetin Lida në perëndim të Bjellorusisë, ndërsa pamjet nga Minsk tregojnë një karvan autobusësh që sjellin anëtarë të forcave të sigurisë në qendër të qytetit.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të një votimi që Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet u vodhën.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas dy muaj e gjysmë. Lukashenko, 66-vjeç, një aleat i liderit rus Vladimir Putin, ka drejtuar Bjellorusinë me një dorë të vendosur që nga korriku 1994.

Shpërndaje në: