Krisje brenda AAK-së: Pal Lekaj flet rreth pretendimit të Donika Kadaj-Bujupi se u përjashtua nga partia

Periskopi.com Lajme

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka deklaruar se është përjashtuar nga pjesëmarrja në diskutimet në parti tash e disa muaj. Përjashtimin nga partia, deputetja e ka lidhur me mosvotimin e Qeverisë Hoti. Por, nga partia e Ramush Haradinajt e kanë mohuar një gjë të tillë.

Vite më parë, Donika Kadaj-Bujupi ishte një nga figurat kryesore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Për secilën fjalë të saj, atëkohë deputetët dhe anëtarët e tjerë të kësaj partie bënin “amin”.

Por, gjërat kanë ndryshuar që nga koha kur ajo e braktisi partinë e Ramush Haradinajt për të kaluar në Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Ndonëse i ra “pishman” për këtë veprim e prapë iu kthye “dashurisë së vjetër”, më nuk e ka ndikimin që e kishte dikur në këtë parti.

Gjërat janë përkeqësuar edhe më shumë me refuzimin e saj që të votojë Qeverinë Hoti. Që nga ajo ditë, Kadaj Bujupi thotë se është përjashtuar nga pjesëmarrja në diskutimet në këtë parti.

“Unë prej datës 3 qershor, kur është votuar Qeveri, nuk kam qenë e ftuar në takimet brenda subjektit politik, brenda Aleancës, pra në njëfarë forme jam përjashtuar nga vendimmarrja dhe diskutimet në të gjitha instancat prandaj kam mungesë të informatave se çfarë ndodhë brenda dhe jam e kufizuar që të jap informata nga brenda sepse nuk i di”, ka deklaruar ajo mbrëmë në Interaktiv.

E për këto deklarata të deputetes janë deklaruar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj i ka thënë Gazetës Express se ata nuk e përjashtojnë askënd nga partia.

Lekaj thotë se nuk ka ndonjë informatë nëse deputetja ftohet në mbledhjet e kryesisë, por tregon se në grup parlamentar ajo merr pjesë rregullisht.

Sa i përket partisë ne nuk e përjashtojmë askënd. Nuk kam ndonjë informatë nëse ftohet apo jo në mbledhjet e kryesisë në parti. Ndërkaq, në grup parlamentar vijon të vie rregullisht”, ka deklaruar Lekaj për Express.

Ndryshe, Kadaj-Bujupi kishte thënë se ka refuzuar që të votojë Qeverinë Hoti për shkak të insistimit të tij në heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore”, kishte shkruar ajo.

Shpërndaje në: