Kriza energjetike, Rama: Do të jetë e vështirë të gjejmë energji për të blerë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Edi Rama, ndalur te kriza energjetike me të cilën po përballet e gjithë bota, ka theksuar edhe njëherë se do të jetë e vështirë për vendin tonë që të gjejë sasinë e nevojshme për të përballuar të gjitha nevojat.
Nga Vlora, ku inspektoi punimet në kantierin e portit të ri, kryeministri u shpreh se çmimi ka shkuar në “stratosferë”, por edhe njëherë theksoi se sfida do të jetë rënia e volumit të mundshëm për t’u blerë.

“Jemi në një zonë ku po merr jetë program më ambicioz i qeverisë sa i përket energjisë. Kjo që ndodh me futjen e 110 MWh të tjerë përmes detit është vetëm një hap i kësaj emergjence botërore sepse kemi ardhur në pikën që jo vetëm çmimi i energjisë ka ikur në stratosferë,  por ka filluar ajo që kemi paralajmëruar me kohë, rënia e volumit të mundshëm për t’u blerë. Pra nuk jemi më në kushtet që çmimi është marramendës, por do të jetë e vështirë që ta gjejmë”, tha Rama.

Kryeministri vuri theksin edhe te synimi për ta kthyer Shqipërisë në eksportuese të energjisë, ku tha se do merren masa që vendi të hyjë në fazë sovrane nga pikëpamja energjetike.

“Do marrim masat që Shqipëria të hyjë në fazë tjetër duke u bërë sovrane nga pikëpamja energjetike dhe duke u kthyer eksportues neto, por kemi një fazë tranzicioni që duhet të bashkojmë të gjithë gjërat që janë përgatitur për kaq kohë dhe të krijojmë sinergji. Isha dhe në Athinë ku u takova dhe me Princin e Kurorës dhe u lidh marrëveshja për të sjellë interkonjeksionin nga Arabia Saudite në Greqi dhe për t’i shitur Greqisë dhe kësaj zone energjinë diellore që kanë në plan ta prodhojnë në sasira marramendëse. Jemi në kushte pozitive. Ajo që vlen është se do të vijë momenti që nuk do të kemi më nevojë të importojmë por të eksportojmë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri bëri me dije po ashtu se brenda muajit gusht, në këtë port do të instalohen edhe dy anije prodhuese të energjisë elektrike.

“Kantieri i Portit të Ri të Vlorës, një port i integruar ku përveç anijeve të mallrave do të ankorohen anijet e peshkimit, tragetet e udhëtarëve, ndërkohë që brenda gushtit do të instalohen dy anije prodhuese të energjisë elektrike”, tha Rama. /RTSH