Kriza politike ka krijuar situatë dramatike në vend

Periskopi.com Lajme

Detaje nga takimi i Odës Amerikane në Kosovë me ambasadorin Grenell ka shpalosur për KosovaPress, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili thotë se qëllimi i vizitës së ambasadorit Richard Grenell ishte që të mbahet fokusi në rëndësinë e zhvillimit ekonomik, sepse bizneset dhe sektori privat kanë një rol të rëndësishëm për rritje më të madhe ekonomike të Kosovës.

Krahas saj, drejtori Zeka thotë se në këtë takim është diskutua edhe për nevojën që të tejkalohen çështjet  e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të krijohet mundësia që bizneset, qofshin ato amerikane ose investitorët e brendshëm të kenë mundësi të krijojnë vende të reja të punës dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë e vendit, ashtu që ata të gjejnë më shumë arsye që të qëndrojnë në Kosovë.

Kreu i OEAK-së, Arian Zeka në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për krizën politike në vend, që sipas tij, ka krijuar një situatë dramatike. Po ashtu, Zeka ngriti edhe çështjen e ngecjes së projektit energjetik “Kosova e re”  dhe mosfunksionalizimin e zonës ekonomike amerikane në Gjakovë.

“Ajo që ishte pjesa më e mirë e këtij takimi me ambasadorin Grenell, ishte mundësia që bizneset të cilat operojnë në Kosovë të japin rekomandimet e tyre konkrete për sa i takon çështjeve me të cilat ata përballen në operacionet e tyre. Ishte aty edhe ideja për funksionalizmin e hekurudhës Kosovë-Serbi, e cila më vonë edhe u konkretizua pas udhëtimit të tij në Beograd. Po ashtu, edhe nevojën e finalizimit të ndërtimit ose lidhjes rrugore përmes një autostrade ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër kemi një investim që është bërë nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e një objekti të ri të vend kalimit kufitar sipas sistemit të ashtuquajtur menaxhim i integruar I kufijve në Merdare, i cili sot e kësaj dite nuk funksionalizohet për shkak se shteti i Serbisë refuzon që të vendoset aty. Ishte kërkesa e bizneseve që kjo pikë kufitare të funksionalizohet ashtu që të mund të përshpejtonte procedurat edhe të kalim it të njerëzve dhe të mallrave për të qenë në shërbim të bizneseve dhe ekonomive të qytetarëve të të dyja shteteve. Gjithsesi pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe nevoja për heqjen e tarifës nga ana e autoriteteve të Kosovës si barrierë e cila po e pengon tregtinë e lirë tash e më shumë se një vit”, thotë Zeka.

Kreu i OEAK duke folur për krizën politike në vend, deklaron se përveç mosmiratimit të buxhetit 2020, ngërçi politik ka ndikuar edhe në ndalimin e reformës për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes.

Sipas Zekës, mosfunksionimi i duhur dhe i plotë i institucioneve në nivel qendror, ka pamundësuar avancimin e reformave qoftë në sundimin e ligjit rrjedhimit për luftimin e korrupsionit, por po ashtu edhe projektligje të rëndësishme që rregullojnë fushën tatimore dhe funksionin e administratës tatimore, si dhe raportet e ATK-së me tatimpaguesit.

“Është një situatë goxha dramatike, edhe nëse ia shtojmë tash edhe nevojën që të ketë vendi një buxhet të aprovuar nga ana e Kuvendit. Vitin 2019 është paraparë që rritja ekonomike të jetë diku ndërmjet 4.2 dhe 4.5 përqind, të njëjta kanë qenë parashikimet edhe të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare dhe raportet e fundvitit kanë tregua që diku mbi 350 milionë euro të parapara për investime kapitale nuk janë shpenzuar fare nga ana e institucioneve tona të vendit. Nëse kemi parasysh që rritja ekonomike në Kosovë kryesisht nxitet nga remitencat e diasporës dhe nga investimet kapitale, atëherë që tash mund ta kalkulojmë dëmin”, deklaron ai.

Drejtori në OAK pohon se nismat qeveritare duhet të marrin epilog, pa shmangshëm këtu edhe nevojën për ndryshimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e zonave ekonomike.

Për krijimin dhe funksionimin e zonës ekonomike amerikane, Zeka thotë se është e nevojshme që të ketë plotësim ndryshim të ligjit aktual për zonat ekonomike, ashtu që të mundësohet edhe ofrimi i stimujve fiskal dhe të tjerë për investitorët të cilët synojnë që të vendosen brenda këtyre zonave.

 

“Ne si Odë Amerikane kemi dhënë rekomandimet tona, sa i përket benefiteve ose hapësirave që duhet të ofrohen për investitorët të cilët synojnë të vendosen brenda zonës, por edhe sa i përket faktit se si duhet të zhvillohet zona, si duhet të menaxhohet zona, meqenëse nëse e njëjta do të vazhdohet të menaxhohet nga ana e shtetit do të ishte barrë për buxhetin publikë. Megjithatë, ne kemi propozuar një model tjetër ku një kombinim mes sektorit publik dhe privat do ta merrte përsipër zhvillimin e zonës dhe natyrisht përveç ofrimit të parcelës do të bënte edhe zhvillimin e infrastrukturës bazike, trajtimit të ujërave të zeza, ujësjellësit, rrugës që qojnë te zona ekonomike amerikane dhe ajo çka është më e rëndësishme nga ana e komunës së Gjakovës është zgjidhja e transportit publik. Madje, madje kemi kërkuar që të krijohet një ligj të veçantë për zonën ekonomike amerikane, por i cili për shkak të rrethana e politike nga fundi i korrikut të vitit të kaluar e tutje realisht nuk ka mundur të ec për tej”, thotë Zeka.

Sa i përket projektit energjetik “Kosova e Re”, drejtori i OEAK, pohon se si odë e mbështesin këtë projekt, por vlerësoi se është storia më e dhimbshme në 15 vitet e fundit kur ky projekt ka nisur dhe që ende nuk ka marrë epilogun përfundimtar.

“Ne si Odë amerikane kemi mbështet projektin energjetik Kosova e re. E para, për shkak se do të ofronte zgjidhje me gjenerim të energjisë vendore elektrike. E dyta për shkak se do të ndihmonte në nxjerrjen nga përdorimi ose dekomisionimin e TC Kosova A, dhe e treta për shkak se bëhet fjalë për një projekt që është e përfshirë një kompani me kapital amerikan. Mund të vlerësoj se është storia më e dhimbshme në gjithë këto vite, po bëhen mbi 15 vite kur ky projekt ka nisur dhe që ende nuk ka marrë epilogun përfundimtar. Situata aktuale politike, edhe pse vendimi përfundimtar duhet të merret nga ana e kuvendit që ka ndikim në jetësimin e këtij projekti. Është diçka që na vendos në pozitë të vështirë para investitorit potencial, por është edhe shembull negativ që unë besoj se do të ketë jehonë negative edhe tek investitorët e tjerë kur do që të kemi një projekt të tillë dhe të përmasave të tilla strategjike. Në këta pesë gjashtë muaj nuk është që kemi pasur ndonjë hap në këtë aspekt”, deklaron ai.

Në fund Zeka u shpreh optimist se qeveria e re do të bëhet, dhe do të ketë një qasje të re, dinamike, dhe një qasje më agresive në promovimin e potencialeve të vendit para investitorëve të huaj.

Shpërndaje në: