Kryediplomatja gjermane tregon arsyen pse e do Kosovën në Këshillin e Evropës

Periskopi.com Lajme

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se pas vizitës së fundit që zhvilloi në Ballkanin Perëndimor e ka të qartë se rritja e bashkëpunimit me këto shtete është vendimtare. Për këtë, arsye ajo thotë se e mbështet aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Vizita ime e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor më bëri të qartë se sa vendimtare është intensifikimi i bashkëpunimit tonë me këto shtete në këtë moment vendimtar. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim dëshirën e Kosovës për t’iu bashkuar familjes së shteteve anëtare të Këshillit të Europës”, ka thënë Baerbock, sipas një postimi të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Twitter.

Ndërkaq, ajo, në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE dje në Torino, ka folur edhe për brutalitetin që po ndodh në Ukrainë dhe ka thënë se Këshilli i Europës është një ndër shtyllat kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës dje në mbledhjen e Komitetit kanë shprehur edhe Shqipëria e Kroacia, të cilat dolën edhe me deklarata zyrtare.

Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, e cila ishte pjesë e kësaj mbledhje, përmes një postimi në Twitter ka treguar se ka folur për çështjen e Kosovës.

“Është koha për të marrë hapa të guximshëm për të ardhmen e Europës, duke përfshirë dhënien e anëtarësisë për Kosovën dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Fino.

Ndërkaq, Kroacia ka thënë se KiE duhet të jetë i hapur për të pranuar Kosovën si anëtare.

“Dyert e Këshillit të Europës duhet të jenë të hapur për anëtarësim të atyre demokracive europiane që ndajnë vlerat e Këshillit të Europës dhe janë të gatshme të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Në këtë drejtim, Kroacia mbështet aplikacionin për anëtarësim të Kosovës”, ka shkruar dje MPJ e Kroacisë.

Për këto mbështetje, Ministria e Jashtme e Kosovës doli me një deklaratë për t’i falënderuar dhe për të argumentuar se pse Kosova duhet të jetë pjesë e organizatës për të drejtat e njeriut.