Kryeministri grek: Ballkani Perëndimor të integrohet në BE deri më 2033

Kryeministri grek: Ballkani Perëndimor të integrohet në BE deri më 2033

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dje ka propozuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian deri në vitin 2033.

Mitsotakis po fliste pas një takimi me krerët nga vendet e Evropës Juglindore në qytetin port grek të Selanikut, shkruan AP, transmeton Klankosova.tv.

I pranishëm ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Unë mendoj se ka ardhur koha për të vazhduar me hapa më vendimtarë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane – duke pranuar, natyrisht, se hapa të rëndësishëm duhet të bëhen paraprakisht që ata të përmbushin standardet evropiane”, tha Mitsotakis.

“Por ne kemi nevojë për diçka më shumë. Ne kemi nevojë gjithashtu për angazhimin aktiv të udhëheqjes evropiane dhe të vendeve anëtare, se procesi do të përshpejtohet,” shtoi ai.

Mitsotakis i dha kohë propozimin të tij deri në vitin 2033, si një datë të synuar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE, teksa e cilësoi si propozim “ambicioz”, por se “ai mund të realizohet nëse ideja e zgjerimit kthehet në vlerat thelbësore të unionit”.

Kujtojmë se dje kancelari gjerman Olaf Scholz, teksa nisi turin e tij dyditor në Ballkan shprehu mbështetjen për integrimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në mes të luftës në Ukrainë.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të aspiratave të tyre për anëtarësim në BE.

Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat e plota, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë përballur me vonesa në nisjen e bisedimeve nga BE.

Kosova dhe Bosnja janë në fazat e hershme të procesit të anëtarësimit.

Udhëheqësit evropianë pritet të marrin në konsideratë ofertën e Ukrainës për statusin e kandidatit në BE në fund të qershorit.

 

Shpërndaje në: