Kryeministri Kurti në takim me komunitetin sportiv: Na duhet edhe masivizimi edhe shkëlqimi i sportit

Periskopi.com Lajme

Për të diskutuar për sportin dhe rëndësinë e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me komunitetin sportiv në një ngjarje të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunimin me Komitetin Olimpik të Kosovës. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve publike, të nivel qëndron e lokal, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme sportive.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Komitetin Olimpik për ftesën, mikpritjen dhe për organizimin e kësaj tryeze, që i dedikohet strategjisë dhe Ligjit për Sportin. Përveç rezultateve të veçanta në arenën ndërkombëtare, e që janë të mëdha, ai tha se sporti na duhet edhe si kulturë e përgjithshme e popullsisë.  “Na nevojitet edhe masivizimi dhe shkëlqimi i sportit”, tha kryeministri gjatë diskutimit.  Për të arritur këtë padyshim se infrastruktura sportive është e rëndësishme dhe kjo do të trajtohet me prioritet shtetëror në qeverinë tonë, u shpreh më tej kryeministri Kurti.

Ai shtoi se dëshmi për këtë prioritizim të sportit përbën fakti, që për herë të parë në Kosovën e pavarur, sporti dhe zhvillimi i tij do të jetë pjesë e Strategjisë Nacionale për Zhvillim.

Kryeministri Kurti po ashtu veçoi edhe rëndësinë që ka lidhja në mes sportit dhe arsimit. “Ura lidhëse në mes sportit dhe arsimit edhe si veprimtari shoqërore edhe si institucionale shtetërore, duhet të jetë e fuqishme, sepse asisoj i zbulojmë herët talentet e i mbështesim me kohë, dhe e bëjmë sportin trend e kulturë për të gjithë”, tha ai.