Kryeministri në cilësinë e kritikut letrarë, tregon ku e ka vendin poeti Asdreni

Kryeministri në cilësinë e kritikut letrarë, tregon ku e ka vendin poeti Asdreni

Kryeministri i Kosovës, është përzier pak edhe kah kritika letrare që ishte specialitet i ish Presidentit, Ibrahim Rugova.

“Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia “Himni i Flamurit” për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi”, tha kryeministri Albin Kurti, në fjalën e hapjes së manifestimit kulturor me rastin e 150-vjetorit të lindjes së atdhetarit e poetit Aleksandër Stavre Drenova, Asdrenit.

Kryeministri Kurti tha se vargjet e himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri, nëpër mbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Ai theksoi se në Kosovë sidomos i këndojmë thuajse për çdo ditë gjatë stinës së pranverës, kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun. I kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë, tha ai.

Fjalët e Asdrenit ishin motivi i manifestimit “Na flet Asdreni” organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Nën drejtimin artistik të Mjeshtrit të madh, Josif Minga, artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova, nderuan kujtimin e poetit me interpretimet e tyre në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Me pjesëmarrjen e korit kameral “Dardanica”, nën drejtimin e Edon Ramadanit, të formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik i Burrave Drenovë, si dhe me intervista të personaliteteve dhe imazhe të shumta dokumentare, u kujtua dhe rrëfye jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. /Periskopi/

Shpërndaje në: