Kryeministri spanjoll: Kur është fjala për Kosovën, Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë

Kryeministri spanjoll: Kur është fjala për Kosovën, Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez është duke qëndruar në Serbi për vizitë zyrtare.

Në Beograd, ai është pritur për një takim nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin, sipas mediave serbe, e ka siguruar se Spanja e mbështet Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Ne mbështesim Serbinë kur është fjala për Kosovën. Spanja ishte dhe do të jetë gjithmonë me Serbinë në mbrojtje të këtij parimi”, ka thënë Sanchez në një konferencë të përbashkët me Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Sipas mediave serbe, Sanchez ka thënë se marrëdhëniet mes Spanjës e Serbinë janë të shkëlqyera, me synimin që shkëmbimi tregtar të arrijë në nivele tjera.

Ai ka theksuar se në tetor në Beograd do të organizohet një forum biznesi i kompanive spanjolle dhe serbe dhe se qeveritë e të dy vendeve janë duke punuar për një marrëveshje dypalëshe ekonomike.

Presidenti Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Spanja është mike e sinqertë e Serbisë si dhe një nga miqtë më ë mëdhenj në botë.

Siç di Vuçiq kur i pëlqen ‘muhabeti’, edhe Sanchezit i ka bërë lajka.

”I dashur mik, të gjithë të duan në këtë vend, nuk do të gjesh një person të vetëm që nuk mendon kështu”, citohet Vuçiq nga mediat në Beograd.

Sipas Vuçiq, Spanja e ka përkrahur përpjekjen për integrim të Serbisë në BE “pa gjetur qime në vezë”.

Spanja është një prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Përkundër përpjekjeve diplomatike ndër vite, Spanja nuk është luhatur nga qëndrimet e saj për çështjen e Kosovës.

Shpërndaje në: