Kryesia e Kuvendit vendos për formimin e komisionit hetimor për leje të hidrocentraleve

Kryesia e Kuvendit vendos për formimin e komisionit hetimor për leje të hidrocentraleve

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar sot propozimin e deputetit të LDK-së Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Pas diskutimeve, Kryesia vendosi që formimi i këtij komisioni të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e të premtes, 14 gusht 2020.

Sipas vendimit të seancës së datës 7 gusht, pikë e parë rendit të ditës së seancës së të premtes, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Po ashtu, seanca do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Në vazhdim të mbledhjes së sotme, e cila u mbajt në formë virtual, Kryesia u njoh me ecurinë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti dhe për herë të parë të kryesuar nga Kosova.

Shpërndaje në: