Kryetari i Bujanocit: Marrëveshja e Ohrit shmang kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Bujanocit: Marrëveshja e Ohrit shmang kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më 18 mars në Ohër, u pajtuan që të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me këtë marrëveshje, për Indeksonline ka folur kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Arifi e mirëpret këtë marrëveshje ndonëse thekson se “nuk është më e përkryera, ngase me këtë marrëveshje janë lënë shumë tema të rëndësishme pa u zgjidhur”.

“Çdo marrëveshje që ka për qëllim stabilitetin politik mes dy shteteve është e mirëseardhur. Marrëveshja e Ohrit si vazhdimësi e marrëveshjes së Brukselit nuk mund të them se është e përkryera, ngase me këtë marrëveshje janë lënë shumë tema të rëndësishme pa u zgjidhur. Njëra prej tyre është edhe shmangia e kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në këtë marrëveshje të futet edhe parimi i reciprocitetit mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi”, thotë Arifi.

Kryetari po ashtu tekson se e mira e gjithë kësaj marrëveshje është se gjërat kanë filluar të lëvizin, duke theksuar nenin 1 të kësaj marrëveshje si të rëndësishme për shqiptarët e Luginës.

“Nga gjitha ato pika, për shqiptarët e Luginës është e rëndësisë së veçantë që neni 1 i kësaj marrëveshje të implementohet sa më parë, e cila pos tjerash njeh dokumentet e njëra tjetrës, si pasaportat, letërnjoftime, diplomat, targat e kështu me radhë. Me implementimin e kësaj pike do të rriteshin shancet që të diplomuarit nga Republika e Kosovës të punësohen, problem ky të cilin e kemi ngritur në pothuajse çdo takim”, pohon kryetari i Bujanocit.

Arifi pret që dy shtetet ta kenë pikënisje marrëveshjen e Ohrit dhe të vazhdojnë edhe në ardhmen të punojnë në drejtim të stabilitetit politik dhe integrimit të rajonit në BE.

Shpërndaje në: