Kryetari i LDK-së, Abdixhiku: Zgjedhjet Lokale janë një arritje jashtëzakonisht e madhe, na pret e ardhme e ndritur

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku: Zgjedhjet Lokale janë një arritje jashtëzakonisht e madhe, na pret e ardhme e ndritur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Lumir Abdixhiku, ka bërë një reagim pas përmbylljes së Zgjedhjeve Lokale 2021.

Abdixhiku është shprehur fitimtar pasi partia e tij ka arritur të fitojë shtatë komuna, dhe po pret rezultatin edhe në komunën e tetë [Dragash].

“Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur.” – ka thënë kryetari Abdixhiku, përcjell Periskopi.

Ai ka thënë se LDK-në e pret një e ardhme e ndritur.

“Në fund, nga zemra, një falenderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!” – përfundon ai.

Statusi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të dashur mbështetës të Lidhjes sonë,

Rrugëtimi ynë i përbashkët deri në zgjedhjet e 17 tetorit e 14 nëntorit është rrugëtim që do ta mbajmë me vete gjatë. E nisëm të vetëdijshëm për sfidat përpara; po e përfundojmë krenarë dhe kokulur për besimin e marrë nga qytetarët tanë.

LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë.

Kryetarët e zgjedhur i uroj, dhe ju uroj shërbim të denjë ndaj njerëzve tanë pa dallim. Siç edhe i uroj të gjithë kandidatët e kandidatet tjera, që pavarësisht rezultatit final, dhanë gjithçka, bënë garë të drejtë e kontribuan si një familje e vërtetë në rikthimin e madh. Ky rezultat është i të gjithëve; mbesim një familje, mbesim një shtëpi.

LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurtë.

Në fund, nga zemra, një falenderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!

I juaji,

Lumiri

Shpërndaje në: