Kryetari i Malishevës: Numri i të prekurve tregon se nuk kemi qenë shumë të kujdesshëm

Kryetari i Malishevës: Numri i të prekurve tregon se nuk kemi qenë shumë të kujdesshëm

Në Komunën e Malishevës tashmë janë 61 persona të prekur me virusin COVID-19, ku gjendja shëndetësore e të gjithë këtyre është stabile.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune Ragip Begaj, i cili për KosovaPress thotë se apeli i tyre ka qenë gjithmonë që masat e ndërmarra nga IKShPK të respektohen, por që thotë se nga numri i të prekurve rezulton se nuk kanë qenë shumë të kujdesshëm.

“Apeli ynë ka qenë që gjithherë masat të respektohen, megjithatë kjo po del që nuk kemi qenë shumë të kujdesshëm. Por, prapë se prapë kur i ka përfshi shtetet më të fuqishme të botës edhe neve ka me na përfshi dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Gjendja e të infektuarve nuk është e keqe, përveç një rasti të tjerët ndjehen mirë”, tha ai.

Sa i përket ankesave të shumta se në këtë komunë nuk është respektuar thirrja që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe se janë mbledhur nëpër oda, Begaj ndonëse thotë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë, shprehet se duhet ta bartin pasojën pasi që janë të dashur mes vete.

“Nuk është krejt ashtu ndoshta, por kemi pasur do postime që njerëzit kanë ndenjur nëpër oda, megjithatë është ajo ana duhet ta bartim edhe pasojën se jemi të dashur mes vete ne Malisheva, kjo na ndodh”, tha Begaj.

Kreu i Komunës së Malishevës deklaroi se përveç barnatoreve dhe dyqaneve ushqimore, dyqanet tjera në këtë komunë janë të gjitha të mbyllura.

“Do të bëjmë përpjekje dhe do të marrim vendim që bizneset tjera nuk do të punojnë përpos barnatoreve, pompave të benzinës dhe barnatoreve bujqësore, të tjerat asnjë biznes nuk do të punojë”, tha kryetari Begaj.

Për furnizimin me material mbrojtës për stafin shëndetësor, i pari i Malishevës bëri të ditur se dje janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk kanë qenë mirë, kemi bërë ankesa shumë herë, prej dje ka ndryshuar pak gjendja kanë ardhur disa furnizime”, tha ai.

Deri më tani Komuna e Malishevës ka numrin më të madh të të prekurve nga virusi COVID-19 me gjithsej 61 persona, ndërsa në nivel vendi janë gjithsej 165. Nga ky virus deri më tani kanë vdekur tre persona.

Shpërndaje në: