Kryetari i Pejës: Nuk do të lejohet ndërtimi i hidrocentraleve në Rugovë

Kryetari i Pejës: Nuk do të lejohet ndërtimi i hidrocentraleve në Rugovë

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se është vendosur përfundimisht që hidrocentralet në Rugovë, nuk do të ndërtohen.

Ai thotë se kjo është kundërshtuar nga banorët por edhe nga partitë politike të komunës.

“Jo, nuk  ka asnjë shansë me u ndërtu. Në planin zhvillimor komunal, edhe të riun edhe të vjetrin, komuna nuk lejon ndërtimin e hidrocentraleve në territorin e vet. Kjo punë për komunën e Pejës dhe banorët e saj ka përfunduar” , është shprehur Muhaxheri për RTVD.

Sipas Muhaxherit, komuna po përballet me probleme sa i përket realizimit të projekteve të parapara.

Numri i madh i tyre po has në vështirësi për tu realizuar, për shkak të mungesës së stafit.

“Është sfidë e madhe për tetë persona me i mbikëqyrë 100 projekte. Edhe pse e kanë kryetarin inxhinier dhe iu del në ndihmë. Gjithashtu edhe buxheti është miratuar me vonesë dhe procedurat e tenderimit dhe prokurimit kanë qenë të stërzgjatura dhe punët kanë filluar pothuajse një muaj më parë e që duhet përfunduar në pesë muajt në vijim…”, ka thënë Muhaxheri.

Në vitin 2013, kompania KelkosEnergjy kishte nënshkruar një marrëveshje me komunën e Pejës, por kryetari Muhaxheri thotë se realizimi i këtij projekti do të shkatërronte mjedisin, lumenjtë që janë bukuri e kësaj ane.

Shpërndaje në: