Kthehet në atdhe trupi i pajetë i Erjon Toros
Mbërriti mëngjesin e sotëm në Shqipëri trupi i pajetë i Erjon Toros, viktimës shqiptare në tërmetin që goditi më 24 gusht Italinë Qendrore.
Arkivoli i 34vjeçarit ka mbërritur rreth orës 08:30 në portin e Vlorës nga Brindisi dhe do të dërgohet në vendlindjen e tij, fshatin Kurjan të Roskovecit, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.
Xhaxhai i viktimës pohoi për ‘News24’ se me ardhjen e trupit të tij iu lehtësua disi dhimbja.
“Jam i kënaqur nga shteti shqiptar që ma solli trupin e nipit shumë shpejt. Na u lehtësua më shumë dhimbja”, tha ai.
Shpenzimet për kthimin e tij në atdhe u mbuluan tërësisht nga qeveria shqiptare. Ambasada shqiptare në Romë ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e duhur për të riatdhesuar trupin e të ndjerit.
Emigranti 34vjeçar, në momentin e rënies së tërmetit ndodhej në banesë së bashku me gruan dhe 2 vajzat. Të bijat u nxorën nga gërmadhat me lëndime të lehta, ndërsa bashkëshortja pas një ndërhyrje kirurgjikale humbi të dyja këmbët. Ajo vijon të jetë e shtruar në spitalin e Akuilës. Gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme dhe vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Erjon Toro ishte djali i vetëm i një familje me 5 anëtarë dhe jetonte në Itali me familjen e tij që prej 16 vjetësh.



