Kufomat e aksidentit me autobus në Bullgari javën e ardhshme arrijnë në Shkup

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka bërë të ditur se trupat e viktimave të cilët humbën jetën në aksidentin me autobus në Bullgari, do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut, javën që vjen.

“Pritjet janë që gjatë javës së ardhshme, menjëherë pasi të mbarojnë procedurat për identifikim të viktimave. Mund të presim kah e marta ose e mërkura, por edhe ditë tjera, deri sa të kompletohen të gjitha procedurat e identifikimit”, tha ministri i Jashtëm, Osmani në një konferencë për media bashkë me ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski dhe atë të Transportit, Bllagoj Boçvarski.

Ministri Osmani gjithashtu shtoi se gjatë ditës së shtunë (27 nëntor) do të transferohen dy të mbijetuarit e parë, të cilët kurohen në spitalin e Sofjes. Dy të lënduarit e tjerë pritet të transferohen më 28 nëntor dhe më 1 dhjetor edhe personat e tjerë.

“Fillimisht të lënduarit do të shtrohen në spitalin e Shkupit për kontroll mjekësor dhe pastaj do të transferohen nëpër shtëpitë e tyre”, përfundoi Osmani.

Gjatë kontrollit shtesë të autobusit të aksidentuar në autostradën Struma në Bullgari është gjetur edhe një trup i pajetë, duke çuar kështu dhe zyrtarisht numrin e viktimave në 45.

“Në autobusin e djegur është gjetur trupi edhe një udhëtari, i cili është dërguar në Institutin për Hetime në Bullgari. Bëhet fjalë për një person të moshës së re”, ka deklaruar të premten, më 26 nëntor, kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Joveski, ka thënë se në Shkup kanë arritur prokurorët bullgarë, të cilët gjatë ditës së shtunë do të marrin mostrat nga familjarët e viktimave për të kryer identifikimin e viktimave përmes ADN-së.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit, ku për pasojë humbën jetën 45 pasagjerë. Shumica e udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut, ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.