Kujdes votën: Mbi 3500 policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë punojnë të dielën

Kujdes votën: Mbi 3500 policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë punojnë të dielën

Për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel do të ketë bashkëpunim ndërinstitucional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në ditën e zgjedhjeve do të jenë në mbrojtje të votës dhe për siguri të qytetarëve në 38 komunat e Kosovës mbi 3500 zyrtarë policorë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë.

Kryetari i Komisionit Qendror tw Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka thënë se për katër muaj ky institucion ka përgatitur këtë proces për mbajtjen e zgjedhjeve. Derisa ka kërkuar nga subjektet politike t’i përmbahen ligjit dhe rregulloreve në fuqi në ditën e zgjedhjeve.

“Nga proceset e kaluara zgjedhore se institucionet tona kanë pasur një numër të papërfillshëm të rasteve në të cilat është ndërhyrë, megjithatë edhe kësaj radhe në ditën e zgjedhjeve do të jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe do të reagojmë në çfarë do situate që ndërlidhet me procesin zgjedhor[…]Natyrisht se dita më e rëndësishme është dita e zgjedhjeve, prandaj në emër të KQZ-së ftoj subjektet politike, kandidatët e tyre dhe çdo kënd tjetër që ka rol në çfarë do forme në procesin zgjedhor që t’i përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore në fuqi, në të kundërtën rrezikojnë të kryejnë ndonjë vepër penale. Në fund, dua t’i drejtohemi të gjithë qytetarëve me të drejt vote që të dielën të dalin për të votuar për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre dhe anëtarët e kuvendeve komunale”, theksoi Radoniqi.

Kreu i KQZ-së në konferencën e përbashkët me policinë, prokurorinë e shtetit ka thënë se tha se kanë bërë kërkesë në Qeveri për heqjen e përkohshme të orës policore.

“Kemi bërë një kërkesë në qeveri për pezullimin e kufizimit të lëvizjes për 48 orë, për të shtunën dhe të dielën me qëllim që të kemi një lëvizje edhe për stafin e KQZ-së, edhe për vëzhguesit, për komisionerët. Të paktën, ndoshta edhe policia nuk do t’i ndaloj ose ndëshkoj. Kjo kërkesë a do të aprovohet apo jo mbetet në vendim marrjen e qeverisë”, tha ai.

Laura Pula nga Prokuroria e shtetit ka thënë se kanë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë, ku do të jenë 80 prokurorë kujdestar në 38 komunat e Kosovës për ruajtjen e votës së qytetarit.

“Të gjithë e dimë që vota është fuqia e vërtet e çdo qytetari dhe për këtë e kemi edhe moton “Mbrojtja e votës së qytetarit”. Tanimë sistemi prokurorial ka krijuar një praktikë të mirë të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, duke mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, mirëpo për njohuri këtë herë sikur më parë, kemi finalizuar të gjitha procedurat e veprimit të cilat janë pjesë përbërëse e memorandumit me policinë e Kosovës… Në këto zgjedhje kemi 80 prokurorë kujdestarë së bashku me staf mbështetës, të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e policisë së Kosovës në 38 komunat e Republikës së Kosovës… Nëse eventualisht do të ketë ndonjë keqpërdorim i votës së lirë të qytetarëve, prokurori i shtetit së bashku me policinë e Kosovës do të jenë gardian të mbrojtjes së votës. Kështu që do të ndalohen dhe arrestohen të gjithë votuesit të cilët do ta keqpërdorin votën, mirëpo do të arrestohen edhe zyrtarët përgjegjës”, tha ajo.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se policia ka krijuar Urdhër planin operativ për proces zgjedhor të sigurt për të gjithë qytetarët.

Mehmeti theksoi se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 3 mijë e 552 zyrtarë policorë.

“Qëllimi i këtij urdhri operativ në këtë proces zgjedhorë janë, krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë tërë procesit zgjedhor. Mbajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurisë në vend, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Monitorimi dhe ndërmarrja e masave policore para, gjatë dhe deri në përfundim të procesit zgjedhor, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depos qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjitha materialeve sensitive zgjedhore nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë. Vlerësimi preliminar i rrezikut të përgjithshëm për këtë proces zgjedhor është i ulët dhe I mesëm”, theksoi Mehmeti.

Ndërsa, edhe drejtues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK) ka parapa 35 gjyqtarë kujdestar në nivel vendi në ditën e zgjedhjeve.

Shpërndaje në: