Kujt po i frikësohet Qeveria Kurti?

Kujt po i frikësohet Qeveria Kurti?

Pushtetarët nuk u janë përgjigjur mbi 95% të pyetjeve që u janë dërguar, për çështje dhe tema të një game të gjerë dhe kjo problematikë është shqetësuese, meqë shtrihet te një pjesë e madhe e spektrit gazetaresk në Kosovë

Më 19 mars 2020, presidenti amerikan Donald Trump, i ngrysur në fytyrë, doli para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, për të folur rreth situatës me koronavirus, teksa pritej që numri i të prekurve t’i kalonte 10 mijë raste në ditë.

Për një orë ai foli me shifra, të cilat mund t’i kishte vetëm ai, para se një gazetare e One America Neës Netëork, e njohur për mbështetjen e pakursyer nga Trump, t’ia bënte një pyetje nga e cila, nënqeshja do t’ia përshkonte buzët e presidentit.

Ajo do ta pyeste për “tradhtinë e mediave të majta”, një prej temave të preferuara të Trump. Prapa presidentit, në radhë për të marrë fjalën ishin Kirurgu i Përgjithshëm, komisioneri i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave, bashkë me të tjerë ekspertë, të cilët do t’u përgjigjeshin pyetjeve rreth pandemisë, që pritej t’u merrte jetën miliona njerëzve.

Mirëpo, për Trump, armik më i rrezikshëm se viursi, ishin mediat. “Mendoj se unë e kam përdorur i pari termin ‘Fake News’”, tha ai, duke dhënë edhe një term tjetër – “lajme të korruptuara”, për të gjitha lajmet që nuk i pëlqenin. “Mediat janë shumë të pandershme”, nënvizonte ai, dy vjet pasi e kishte lavdëruar një kandidat për kongresist, i cili ishte përplasur fizikisht me një gazetar.

Pothuajse dy vjet pas kësaj shfaqje të trishtë, Qendra Evropiane për Liri të Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera për mbrojtjen e gazetarëve, përmes një letre, kishin kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

Në atë letër përmendeshin postimet në Facebook të zëdhënësve dhe këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Zyrës së kryeministrit Kurti, të cilët “duke folur në emër të partive që prezantojnë, thanë se mediat u përpoqën të minonin presidenten, përmes raportimeve të tyre”.

Këto organizata veçonin edhe komentet e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu, drejtuar gazetarëve.

Më 8 shkurt, Sadriu përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu, kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Mediat ishin kthyer në një “armik” aq të madh për qeverinë, saqë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ishte detyruar që 3 majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit dhe aktivitetet rreth asaj dite t’i përmblidhte me moton “Mediat nuk janë armiku”.

Zyrtarisht, ky është qëndrim edhe i qeverisë. Mirëpo, shkëputja pothuaj e krejtësishme e raporteve midis gazetarëve dhe pushtetarëve është rrëfim i gjatë dhe karakteristik i kësaj qeverije, që tregon krejtësisht të kundërtën.

Mediumi në të cilin po botohen këta rreshta ka nisur punën para dy muajsh. Në asnjë nga pyetjet që unë kam nisur për qeverinë apo ministritë, për këta dy muaj, nuk kam marrë përgjigje. Nga të gjitha pyetjet që ka nisur redaksia, vetëm në një rast, ka marrë përgjigje zyrtare nga një prej ministrive. Në një rast tjetër, kur pyetja i është dërguar zyrës së kryeministrit, rreth konfirmimit të një vizite të tij, zëdhënësi ka zgjedhur të mos përgjigjet, por të shkruajë në llogarinë e tij në Facebook, për të njëjtën çështje, në mënyrën si ai ka dashur ta përçojë, mesazhin që ka dashur ta përçojë.

As unë si gazetar dhe as redaksia e PortaliD, asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë sqarim, në çfarëdo forme, për arsyet e mosmarrjes së përgjigjeve, për pyetjet që kemi dërguar. Kështu, lexuesi mund të mendojë se problemi qëndron në relacionin e krijuar, për arsye apo faktorë të ndryshëm, midis mediumit dhe institucionit dhe madje qeverisë në tërësi. Mirëpo, kjo do të ishte ta shohësh fotografinë krejtësisht të përmbysur. E vërteta është që kjo qeveri ka probleme komunikimi me të gjitha apo më saktë me pothuaj të gjitha mediat në Kosovë.

Duke qenë brenda të njëjtës shtëpi mediale, nuk ishte e vështirë ta kisha edhe një tjetër pikëvështrim për mënyrën se si qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti e ka ndërtuar këtë marrëdhënie me median.

Që qeveria dhe ministritë, jo rrallë, refuzojnë të kthejnë përgjigje në disa nga pyetjet që mund të perceptohen me qasje më kritike, e konfirmon edhe drejtori i Informacionit në Radio Televizionin Dukagjini, Dibran Istrefi.

Sipas tij, “mospërgjigja e këtyre institucioneve, është pika kryesore ku ka ngecje”, në raportin midis medias dhe pushtetit. “Ndonjëherë, mospërgjigjja të bën të kuptosh më shumë se përgjigja”, thotë ai, duke nënvizuar se “kur nuk përgjigjesh, i bie se ke diçka për të fshehur”.

Istrefi megjithatë bën dallimin midis qeverisë dhe presidencës e parlamentit, në mënyrën se si e kanë ndërtuar dhe e mirëmbajnë komunikimin me media. Mirëpo, të triat nuk qëndrojnë mirë për nga shpejtësia dhe gatishmëria për t’u përgjigjur në pyetjet që u dërgohen.

Kjo vlen veçanërisht për mediat që janë më kritike ndaj qeverisë. Albanian Post edhe perceptohet, por edhe e sheh veten si media e tillë. “Qeveria ka vendosur të jetë e mbyllur për mediat kritike dhe u kthen përgjigje vetëm mediumeve proqeveritare”, thotë, me bindje, kryeredaktori i zyrës në Prishtinë, Lirim Mehmetaj.

Gama e pyetjeve në të cilat AP nuk ka marrë përgjigje është e gjerë, nga takimet e delegacionit në Bruksel, ligjet e propozuara nga qeveria dhe deri te problemet me ambasadorë e konsuj. “Në asnjë nga pyetjet e mediumit, qeveria nuk ka kthyer përgjigje”, thekson Mehmetaj.

Në vlerësimin e tij, ky qëndrim i pushtetit karshi mediumit lidhet kryekëput me tipin e pyetjeve që parashtrojnë, të cilat i cilëson si “sfiduese” dhe jo tipike për “mediat proqeveritare”.

Dhe për pasojë, bëhet e vështirë që temat hulumtuese të dalin të plota, meqë pa bashkëpunimin e institucioneve ato dalin vetëm me burime, me prononcime nga opozita apo në rastin më të keq nuk publikohen fare, në mungesë të përgjigjeve.

“Për dallim nga presidenca dhe kuvendi, qeveria nuk na ka kthyer përgjigje asnjëherë”, thotë Mehmetaj, duke dashur që theksi të vihet te pjesa e dytë e fjalisë.

Në po këtë regjistër, për raportet pushtet-media, flet edhe drejtori i Gazeta Metro, Valon Syla. Ai thotë se qeveria dëshiron që gazetarët të shërbehen vetëm me informatat që ata i japin përmes rrjeteve sociale.

endenca e qeverisë”, vazhdon ai “është të bëjë monolog me veten dhe strukturat militanteske, duke shmangur informimin dhe dialogun me publikun”.

Për Sylën, një pjesë e mirë e qëndrimeve që i servohen publikut janë demagogjike, me ngjyrime tragjikomike. Për ilustrim, përmend rastin e zëvendëskryeminsitrit Besnik Bislimi, i cili pas takimit me zyrtarë evropianë, kishte dalë me versionin e tij për rrjedhën dhe frytet e atij takimi, gjë që e kishte shtyrë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, të reagojë, për ta korrigjuar.

“Për këto arsye”, thotë drejtori i Metro “tani shërbehemi vetëm nga burimet brenda institucioneve dhe më nuk u dërgojmë as pyetje sepse nuk kthejnë përgjigje”.

Qeveria Kurti 2 nuk përgjigjet as në pyetjet më të thjeshta. Këtë e konfirmojnë edhe nga gazeta Nacionale.

Mirëpo, për redaktorin e këtij mediumi, Mirlind Behluli, akoma më shqetësuese është që iu ka ndodhur t’i shohin përgjigjet në pyetjet që i kanë bërë dhe për të cilat nga qeveria nuk kanë marrë asnjëherë as refuzim për t’u përgjigjur, të botuara në mediat tjera.

“Kjo është ‘përzgjedhje’ e mediumeve nga ana e pushtetarëve”, është i bindur ai. Ndërsa, mediumin në të cilin punon e vlerëson si “kritik” dhe “kundërshtues të pushtetit”.

Që pushteti po i përzgjedh mediumet nuk ka dyshime fare ka thënë kryeredaktorja e Periskopi, Dafina Demaku. Ajo e cilëson si “qesharake” tendencën kufizuese të qeverisë ndaj mediave kritike, meqë mediat në gjithë botën atë punë bëjnë.

Demaku përmend rastin e një telefonate me një deputet të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, rreth Kodit Civil, i cili kishte pranuar të bisedojë, deri në momentin që e kishte kuptuar për cilin medium bëhet fjalë.

“Ky nuk është fare rasti i vetëm”, sqaron kryeredaktorja e Periskopi “pasi ka me dhjetëra pyetje të cilat dërgohen për verifikim të burimeve, rreth proceseve në ministri të caktuara dhe për të cilat nuk kemi marrë kurrë një përgjigje”.

Informacionin jo rrallë të pabalancuar në temat që trajtohen, Demaku e ndërlidh pikërisht me pamundësinë për të pasur qasje në informacion, pasojë e asaj që e vlerëson si “bllokadë të qeverisë ndaj medias”.

“Mbyllja totale ndaj medias është tendencë denigruese dhe diskredituese”, vlerëson ajo./Lexo tekstin e plotë këtu!

 

 

 

Shpërndaje në: