Kultivuan dhjetëra plantacione me kanabis në Spanjë, shkatërrohet organizata e drejtuar nga shqiptarët

Kultivuan dhjetëra plantacione me kanabis në Spanjë, shkatërrohet organizata e drejtuar nga shqiptarët

Një organizatë kriminale që kishte kultivuar plantacione të tëra me kanabis në zona të ndryshme të Spanjës është shkatërruar nga policia spanjolle gjatë një operacioni në shkallë të gjerë.

56 persona janë arrestuar që vepronin për llogari të kësaj organizate, e cila funksiononte në rajonin e Katalonjës.

1.2 tonë kanabis prodhohej në vit nga kjo organizatë në Spanjë, krerët e së cilës janë shqiptarë, raportojnë mediet spanjolle. Fitimet përllogaritet të kenë qenë rreth 3.1 milionë euro në vit, ndërsa në total gjatë gjithë aktivitetit kriminal kjo organizatë ka qarkulluar 9 deri në 12 milionë euro.

24 plantacione me kanabis janë zbuluar në 4 provinca të rajonit të Katalonjës në Spanjë. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo organizatë është një nga rrjetet më të mëdha të përfshira në trafikun e marijuanës, por edhe të qenieve njerëzore. Kjo e fundit për shkak se merrte punëtorë nga shtetet e tjera, duke i futur ilegalisht në vend, për të punuar në plantacionet e drogës.

Sa i përket kanabisit, droga shitej kryesisht në Evropën veriore, aty ku çmimi është trefishuar apo katërfishuar.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan edhe 225.765 euro kesh, si dhe armë zjarri e municione.

Krahas aktivitetit kriminal të kultivimit, po hetohet edhe për pastrim parash që vijnë nga kjo veprimtari. Hetuesit spanjollë besojnë se anëtarët e kësaj organizate kanë blerë pasuri të patundshme në Spanjë, si biznese dhe prona të tjera. Ndërsa një pjesë të parave i kanë dërguar edhe në vendet e tyre, si në Shqipëri. /tvklan

Shpërndaje në: