Kundër Dialogut sherri i Vuçiqit, kundër Open Balkan sherri i Ramës, kundër Marrrëveshjes së Washingtonit sherri i Hotit, kundër Korçës sherri i Bregoviqit… A ka mbetë gjë pa u personalizuar në politikën shtetërore të Kosovës?

Periskopi.com Lajme

Sot, mantra e moçme e Vetëvendosjes se ‘politikja është personale’ është shndërruar në doktrinë shtetërore që legjitimon përndjekjen publike të individëve dhe denigrimin ekstrem të kundërshtarëve politikë, përmes një arsenali të ofendimeve të padëgjuar deri tash në historinë e shkurtër politike të shqiptarëve të Kosovës

 

Editorial i Periskopit

 

‘Personalja është politike, ‘politikja është personale’… Ishin këto ndër mantrat kryesore të aktivistëve të Vetëvendosjes për vite të tëra dhe konsideroheshin gjetje e hatashme emancipuese nëpër qarqet mediokre të udhëheqjes së tyre. Mes tjerash, ishin menduar edhe si parim mobilizues, i nisur nga bindja se çdo fenomen apo ngjarje politike me të cilin nuk pajtohen ka fajtor i cili ka emër dhe mbiemër. Nga bindja se njerëzit shumë më lehtë nxjerren në rrugë për ta kundërshtuar një njeri apo një grup njerëzish që kanë emra e mbiemra, se sa ta kundërshtojnë ndonjë proces politik apo parim ndërkombëtar.

Ishte taktikë e nxitjes së urrejtjes së drejtpërdrejtë, personale, dhe ishte strategji e legjitimimit të hakmarrjes. Ishte thirrje e drejtuar shtresave të pezmatuara të shoqërisë – sidomos, proletariatit imagjinar të pasluftës – që mos të lodhet t’i kuptojë konceptet abstrakte të realitetit të ndërlikuar të pas-çlirimit, si koncensusin politik e ndëretnik, protektoratin dhe obligimet ndërkombëtare, ndërvarësinë rajonale, domosdoshmërinë e privatizimit dhe, përgjithësisht, politikën si aftësi bashkëpunimi e kompromisi. Përkundrazi, me vite të tëra atyre iu tha se, përveçse që ishin të dëmshme, këto koncepte kishin emra dhe mbiemra njerëzish. Njerëzit individualë, qoftë vendorë apo ndërkombëtarë, ishin fajtorë dhe mbanin përgjegjësi për të gjitha. Andaj, ‘eliminimi i njeriut është eliminim i problemit’ që do të thoshte dikur Josif Stalin. Sipas kësaj logjike, e tëra që duhej bërë është emërtimi publik i fajtorëve dhe denigrimi i vazhdueshëm personal i tyre si të poshtër, të shëmtuar, të pamoralshëm, të paskrupullt, tradhëtarë e hajna.

Gjatë viteve, ky projekt i ‘politikës personale’ që u imponua (sidomos) nga organizata Vetëvendosje evoluoi në një diskurs dominues të interpretimit të realitetit politik e shoqëror në vend. Ishte diskurs që synonte përthjeshtësimin dhe konkretizimin ekstrem të çdo dukurie të ndërlikuar apo procesi të paqartë për qytetarin e rëndomtë. Kësisoj, kronologjikisht, fajtorë për kaosin e pasluftës janë ‘komandantat’; fajtorë për byrokracinë e institucioneve ishin ‘shefat e UNMIK-ut’, fajtorë për pavarësinë ‘gjysmake’ ishte udhëheqja vendore dhe Marti Ahtisaari, fajtorë për Dialogun ishte Hashim Thaçi; fajtor për Asociacionin/Zajednicën ishte Isa Mustafa; fajtor për opcionin e shkëmbimit të kufijve ishte Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq; fajtorë për rrëzimin e qeverisë Kurti 1 ishte Richard Grenell; fajtorë për Marrëveshjen e Washingtonit është Abdullah Hoti; fajtor për Open Balkan është Edi Rama, etj…

Sot, mantra e moçme e Vetëvendosjes se ‘politikja është personale’ është shndërruar në doktrinë shtetërore që legjitimon përndjekjen publike të individëve dhe denigrimin ekstrem të kundërshtarëve politikë, përmes një arsenali të ofendimeve të padëgjuar deri tash në historinë e shkurtër politike të shqiptarëve të Kosovës. Madje, po eskalon tutje duke marrë përmasa të përçudnuara të një padiskutueshmërie morale në gjykim dhe dënim arbitrar të çdokujt, sipas logjikës së artikuluar aq saktë para disa ditëve nga Adnan Rrustemi i LV gjatë një interviste në ‘DPT Te Fidani’: ‘Nuk është me rëndësi se çka po flet – por kush po flet!’. Shkurt, sipas Rrustemit, një njeri i konsideruar ‘hajn’ dhe ‘tradhëtar’ nuk mund ta thotë asnjë të vërtetë, andaj duhet të heshtë përjetësisht. Atij nuk duhet t’i zihet besë edhe nëse deklaron se toka është e rrumbullakët.

Kjo më së shumti – dhe më së lehti – u vërejt gjatë rrëmujës së dy javëve të kaluara, kur Kosova refuzoi të merte pjesë në samitin rajonal Open Balkan. Dënimi publik i këtij takimi në opinionin publik kosovar dhe nëpër rrjetet sociale eskaloi kësisoj: filloi duke u sulmuar si diversion i Serbisë/Vuçiqit kundër shtetësisë sonë dhe përfundoi duke u cilësuar tradhëti kombëtare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama – sërish, ndaj shtetësisë sonë. Një javë më vonë vazhdoi tutje, me kontraversën e ftuarjes së muzicientit ish-jugosllav Goran Bregoviq nga Bashkia e Korçës në festivalin lokal të birrës. Edhe këtu, dënimi publik filloi duke sulmuar Bregoviqin si ‘inspirues e masakrave ndaj shqiptarëve’, vazhdoi duke fyer Bashkinë e Korçës për mungesë të ndjeshmërisë dhe patriotizmit dhe përfundoi, sërish, duke e dënuar Edi Ramën për organizator kryesor të kësaj ‘tradhëtie kombëtare e kulturore’. Krejt në fund, polemika që ende vazhdon, dosido degradoi aty pak kush mund ta imagjinonte në këto 30 vitet e fundit: në akuza të ndërsjella mes Kosovës dhe Shqipërisë për tradhëti, servilizëm, inferioritet kombëtar e kulturor, folklorizëm patriotik, etj.

Çfarë po ndodhë me shoqërinë kosovare, sot? Për më tepër, çfarë pritet të ndodhë, nëse merret parasysh mundësia që kjo gjendje e pezmit kolektiv, e gatishmërisë për urrejtje të pafund të kujtdo që nuk pajtohet me ty, e disponimit për të sharë, fyer, gjykuar e dënuar pa pushim, do të eskalojë tutje? Si erdhëm në këtë pikë të një mosdurimi të pashoq ndaj njëri-tjetrit dhe si u bë që e shndërruam arrogancën e mostolerancën në politikë shtetërore e qeveritare?

Pa diskutim, këtë e arritëm me votën individuale, në zgjedhjet e lira. Ishte pra, vullnet i qytetarëve të Kosovës. Thuhet se më 14 shkurt 2021 u votua ndryshimi. Mbase. Prej asaj që po shihet deri sot, ka ndryshuar vetëm shpërfaqja e edukatës personale dhe ndërgjegjes kolektive. Sot, mund ta shani dhe fyeni këdo, me emër e mbiemër, 24 orë në ditë. Mund ta gjykoni, denigroni e dënoni në kafene, në tv, nëpër portale e rrjete sociale, duke e marrë personalisht çdo proces, dukuri apo qëndrim politik. Sot, çdo gjë ka emër, përveç ‘popullit’. Ai mbetet anonim, viktimë dhe i pafajshëm i cili kohëpaskohe del dhe voton.