Kundërkandidati i Agim Bahtirit në LVV nesër zyrtarizon përkrahjen për Armend Agollin e LDK-së

Kundërkandidati i Agim Bahtirit në LVV nesër zyrtarizon përkrahjen për Armend Agollin e LDK-së

Fatmir Hasani, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar për KALLXO.com se nesër do të zyrtarizojë marrëveshjen me kandidatin për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli për zgjedhjet komunale në Mitrovicë.

Hasani i cili ishte edhe kundër kandidat brenda LVV-së i Agim Bahtirit për të kandiduar për kryetar të Mitrovicës së Jugut, ka thënë se janë pranë një marrëveshje me LDK-në.

“Jemi duke u konsultuar për të arritur një marrëveshje që të udhëheqim Komunën e Mitrovicës së bashku, dhe nesër do të dalim më një deklaratë të përbashkët për të konfirmuar marrëveshjen e arritur. Unë jam dhe vazhdoj të mbetem anëtar i LVV-së. Unë kam qenë edhe kundërkandidat i Agim Bahtirit në LVV, që të jem unë kandidati nga Lëvizja për kryetar të Mitrovicës”, tha ai për KALLXO.com

Hasani në ditën kur Agim Bahtiri ishte zyrtarizuar nga qendra si kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut kishte deklaruar se Bahtiri nuk do të ketë përkrahje të qytetarëve.

“Unë isha në garë me Agim Bahtirin për t’u bërë kandidat i Vetëvendosjes, por për shkak të keqpërdorimeve nga ana e të lartpërmendurit brenda qendrës së VV-së, duke shantazhuar e kërcënuar me vende të punës si dhe duke falsifikuar nënshkrimet, unë nuk arrita të bëhem kandidat. Por, ani pse mori votat e delegatëve, Bahtiri nuk e ka përkrahjen e qytetarëve”, kishte shkruar Hasani.

Agim Bahtiri është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021.

Qendra e LVV-së në Mitrovicëne Jugut kishte njoftuar se Bahtiri me shumicë votash ishte zgjedhur kandidati i LVV-së për Mitrovicë. Ndërsa kundërkandidat i tij kishte qenë Fatmir Hasani.

Shpërndaje në: