Kur Granit Xhaka na shpjegonte se FIFA nuk e lejon t’i bashkohet Kosovës
Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka ditë më parë kishte zbuluar se FIFA nuk e lejonte të luante për Kosovën.
Kosovari, i cili jo pak është akuzuar se nuk ka dashur të vijë e të luajë për vendin e tij të origjinës, kishte shkruar një letër drejtuar Kosovës, nëpërmjet së cilës tregoi se nuk e kishte të drejtën për të luajtur për shtetin më të ri të Evropës, për shkak se ishte paraqitur me Zvicrën edhe pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA.
“Sipas një njoftimi zyrtar që FIFA ka shpërndarë, na njofton se kush ka luajtur në Kampionatin Evropian 2016 nuk ka më të drejtë të luajë për një kombëtare tjetër. Federata e Futbollit të Kosovës dhe FIFA nuk kanë një marrëveshje të qartë për kalimin e lojtarëve nga Zvicra te Kosova. FIFA thotë qartë se kush ka luajtur në ‘Euro 2016’ nuk ka më të drejtë të ndërrojë ekipin përfaqësues”.
“Kosova është pranuar në FIFA disa javë para se të fillonte Kampionati Evropian dhe që atëherë ne duhet të ishim informuar, sepse ne këtë informacion si lojtarë nuk e kishim. Të tjerë drejtues e dinin edhe duhet të na kishin informonin. Për këtë shkak tani është e pamundur të ndërrojmë kombëtaren edhe ju garantoj se si FIFA ashtu edhe FFK nuk më kanë informuar për anën ligjore dhe rruga se si duhej të veprohej. FFK duhet të kishte kërkuar sqarim nga FIFA për këtë pikë menjëherë pasi u pranua në FIFA dhe UEFA”.
“Unë si Granit jam interesuar dhe kam angazhuar stafin tim që të punojë në këtë drejtim, nëse është e mundur të luaj me Kosovën apo jo. Nuk e kam bërë publike sepse kam dëshiruar më parë të informohem, pastaj të deklarohem për një vendim të tillë. Kam punuar me muaj të tërë për një gjë të tillë”, kishe shkruar Granit Xhaka. /Periskopi.com



