Kurti çdo vit në Symi të Greqisë edhe për njohje, por njohja nga Greqia s’duket kurrkund

Kurti çdo vit në Symi të Greqisë edhe për njohje, por njohja nga Greqia s’duket kurrkund

Vizita e kryeministrit Kurti në Symi të Greqisë, vjet dhe sivjet, është kritikuar në vazhdimësi. Vitin e kaluar ishte raportuar për qëndrimin e kryeministrit ku pagesa për një natë, në restorin luksoz të Symit, kushtonte deri në 5800 euro.

Kritika e Kurtit, vitin e kaluar, kishte të bënte edhe me atë se kryeministri po vazhdontë të qëndronte në Symi, përkundër faktit që qyteti i Deçanit po përballej me gjendjen emergjente, atë të helmimit të mijëra qytetarëve.

Përgjigja e kryeministrit Kurti, vitin e kaluar, ishte se në Greqi po qëndronte edhe për njohje. Prej atëherë, në vazhdimësi ka pasur lajme se si Greqia, në fakt, përnjëmend mund të lëvizte drejt njohjes.

Kryeministri Kurti, mori pjesë edhe sivjet në Symi, por njohja nga Greqia nuk po vjen ende.

Për qëndrimin e gjatë në ishullin grek, kryeministri pati një përgjigje që u bë virale dhe tejet e komentuar. Ai tha se ‘në Greqi kishte takuar shumë biznesnemë’ por se s’mund të çelej më shumë.

Ku është njohja nga Greqia?

Veç kryeministrit Kurti, edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz, në një emision vendor kishte deklaruar se “Greqia mund të jetë nga të parat shtete të BE-së që do të na njohë, por nuk mund të japë një datë të caktuar”.

Ajo kishte folur edhe për raportet ndërshtetërore me Greqinë dhe kishte thënë se me Athinën zyrtare kanë raporte shumë të mira, madje më të mira se me disa shtete që e kanë njohur Kosovën por që Prishtina zyrtare s’ka ndonjë raport.

“Me Greqinë i kemi raportet jashtëzakonisht të mira. Me Greqinë diskutojmë ndoshta më intensivisht sesa me shtetet që na kanë njohur. Greqia është në kërkim të një momenti të mirë për të bërë edhe hapin final. Aq më tepër që Kosova është dëshmuar si partner serioz evropian. Mendoj që me Greqinë , unë nuk dua të them data ose të parashikoj çfarë do të ndodh. Por raportet janë shumë të mira dhe diskutojmë shumë tema”, kishte thënë Gërvalla, përcjell Periskopi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kishte vlerësuar si ‘avancim në diskurs’ qasjen e Greqisë ndaj Kosovës.

Madje, ai në një konferencë për media kishte thënë se takimet në shtetin grek nuk i bën “as me tupan as me vuvuzela për shkak që është e dëmshme”.

Fatkeqësisht, Greqia nuk po ndryshon qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën.

Kështu të paktën ka deklaruar ambasadori grek në Serbi, Giorgos Giakofotakis dhe ka shtuar se nuk ka presion ndaj vendit të tij për ta bërë këtë.

“Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd (3 qershor), ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias përsëriti se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar dhe se ajo nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha diplomati grek për Tanjug.

Ndërkohë, para disa ditësh, edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, një ditë pas zhvillimeve në veri të vendit, po qëndronte për vizitë në Vietnam.

Ai atje, foli kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, për ç’gjë, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj fajin ia hodhi kryeministrit Kurti.

“Qëndrimi i djeshëm në Tiranë, i kryeministrit të Spanjës dhe i ministrit të jashtëm grek në Vietnam, kundër njohjes së pavarësisë, e varrosën përfundimisht një momentum dhe shancë historike për një kohë të gjatë”, shkruante Hoxhaj më 2 gusht në Facebook.

Greqia, bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë mbeten pesëshja evropiane që nuk e ka njohur ende Kosovën. /Enis Rrustemi/Periskopi/

Shpërndaje në: