Kurti dhe Quni drekojnë me ushtarët e FSK-së

Kurti dhe Quni drekojnë me ushtarët e FSK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Ministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Besnik Bislimi, vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Prishtinë.

Ai u prit nga Ministri i Mbrojtjes në detyrë Anton Quni i shoqëruar nga zëvendës Ministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, U.d. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Faruk Geci dhe Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj.

Në fillim, Ministri Quni falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe e njoftoi në pika të përgjithshme për nivelin e gatishmërisë operacionale dhe veprimet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në mbështetjen e autoriteteve qendrore dhe lokale civile në përballimin e situatës së krijuar pas pandemisë së COVID-19. Gjithashtu, Ministri Quni, e njoftoi me objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë të Ministrisë së Mbrojtjes me fokus në rrugën përpara të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së në kuadër të procesit të tranzicionit të saj.

Duke shprehur mirëkuptimin e plotë në fokusin aktual të Qeverisë pas situatës emergjente nga COVID-19, ai theksoi nevojën e mbështetjes qeveritare në përmbushjen e këtyre objektivave të dimensionit të interesit shtetëror për të arritur në stadin e formësimit të plotë të forcave tona për përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e territorit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse. Ministri Quni gjithashtu e theksoi rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së dhe partnerëve tjerë në të arriturat e deritashme dhe projektet për të ardhmen duke mundësuar që FSK të jetë forcë profesioniste, bashkëkohore dhe e ndërveprueshme me standardet e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s.
Në anën tjetër, Komandanti i FSK-së, e njoftoi Kryeministrin Kurti me të dhëna konkrete për objektivat operacional të FSK-së, programet dhe projektet kryesore të planifikuara për periudhën vjetore dhe afatmesme që determinojnë stadin e zhvillimit dhe operacionalizimit të plotë të aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të planifikuara me mbështetjen e aleatit tone kryesor, SHBA-së dhe partnerët tjerë sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Me qëllim të përmbushjes së këtyre objektivave operacional, Gjeneral Rama kërkoi nga Kryeministri Kurti dhe Ministri Bislimi mbështetjen financiare qeveritare dhe lehtësimin nga barrierat procedurale administrative për procedimin me kohë të projekteve të veçanta të mbrojtjes.

Shpërndaje në: