Kurti dorëzohet para veteranëve, Rrahman Jasharaj – Periskopit: E presin telashe edhe me neve

Kurti dorëzohet para veteranëve, Rrahman Jasharaj – Periskopit: E presin telashe edhe me neve

Mjaftuan dy protesta të veteranëve të UÇK’së që kryeministër Kurti të dorëzohet e t’u bëjë ftesë për takim. Ndonëse i injoroi tash e sa javë kur bënin thirrje të përfshihen në Pagën Minimale. Njëjtë nuk kishte vepruar edhe me sindikatat e bashkuara të punëtorëve, në krye me Rrahman Jasharajn. Tash, ky i fundit i bën një paralajmërim të fortë. Rrahmani thotë se e presin telashe edhe me ta…

Kreu i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj në një intervistë për Periskopin është shprehur i  shqetësuar me qasjen e Kurtit dhe të Qeverisë,  ku sipas tij nuk po bëhen qëndrimet e duhura as ndaj tyre e as ndaj veteranëve.

“Kjo qasje e Kurtit na ka shqetësu vazhdimisht, madje është për t’u habitur sepse ne vazhdimisht e kemi respektuar ligjin për greva, në kuadër të BSPK-së kishim autorizuar ndërmjetësuesin ligjor, i cili do të bënte përpjekje që të fillojmë me dialogun. Por, si duket as ky hap i yni nuk ka hasur në mirëkuptim të Qeverisë”.

“Po them edhe ndaj veteranëve edhe ndaj nesh, Kurti nuk ka qëndrime të duhura. Mirë që do të takohet me ta [veteranët] nesër dhe uroj që të bëj zgjidhje. Nga ana tjetër po them se mënyra se si po vepron Kurti, Murati dhe të tjerët karshi kërkesave tona dhe rezistencës që po i bëjnë dialogut dhe takimeve me ne. Ky vit shkollor duket se shkoi kështu, mirëpo le ta dijë se do të ketë telashe me fillimin e vitit të ri shkollor, ngase ne e kemi harxhur edhe mundësinë e fundit për dialog, i cili është ndërmjetësuesi dhe kam frikë të arsyeshme se këshilli drejtues i SBASHK-ut do të drejtojë kërkesë edhe BSPK-së dhe sindikatave tjera ku do të jenë në të njëjtën linjë”, tha Jasharaj për Periskopin.

Kryetari i SBASHK-ut i ka thënë Periskopit se viti i ri shkollor nuk do të fillojë me zilen e shkollës por me greva të sindikatave.

“Kështu si po shkojnë punët, në mungesë dialogut dhe kërkesave tona, shtatorin do ta kemi me telashe. Po them ky vit shkollor shkoi dhe ne jemi në pritje të raportit zyrtar të ndërmetësuesit që do të ia dërgonte kryetarit të BSPK-së. Ne nuk kemi asnjë informacion nëse ky raport është bërë gati, por po presim një mbledhje të kryesisë së BSPK-së. Ne dhe sindikatave tjera nuk na mbetet gjë tjetër, shtatori sa i përket arsimit jam i sigurt që do të ketë një fillim jo me zilen e shkollës dhe me nxënës por me shumë mundësi do të ketë një fillim të vitit shkollor me greva”, përfundoi Jasharaj.

Kujtojmë se veç sivjet, Jasharaj me kolegë kishin mbajtur 2-3 protesta para Qeverisë, por ishin injoruar nga kryeministri e Qeveria. /PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: