Kurti e Vitia vizitojnë IKSHPK’në, thuhet se të gjitha viktimat po raportohen

Kurti e Vitia vizitojnë IKSHPK’në, thuhet se të gjitha viktimat po raportohen

Kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani kanë mbajtur sot një konferencë për media. Me këtë rast, Ramadani ka dhënë informacione për mënyrën se si po i raportojnë viktimat e COVID-19.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Kurti bashkë me Vitinë vizituan edhe dhomat ku po ruhen vaksinat Anti-COVID.

Me këtë rast Kurti tha se kanë vizituar IKSHPK’në për t’i falënderuar për punën që po bëjnë.

Kurti u bëri thirrje qytetarëve që pa humbur kohë të vaksinohen, duke thënë se ky virus është vdekjeprurës dhe vaksinimi e ulë rrezikun për 20 fish.

“Erdhëm këtu që të ju falënderohemi për punën, përkushtimin dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar 500 ditë që në mënyrë të pandalshme të palodhshme kontribojnë në ballafaqimin me pandeminë COVID-19 e në veçanti tani në këto javë kur situata është rënduar për shkak të pasojave e të gjëra të variantit delta”, ka shtuar ai.

Ndërsa, drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani i pyetur për raportimin e viktimave të COVID-19, ka thënë se nga fillimi i pandemisë kanë raportuar për 24 orë dhe raportimi bëhet për periudhën prej orës 00:00 deri më 11:59.

“Duhet ta dini se prej fillimit të pandemisë ne kemi raportuar komunikatën për 24 orë. 24 orëshi nënkupton prej orës 00:00 deri në orën 11:59 të ditës. Nëse një rast nuk është raportuar atë ditë, dijeni se është raportuar të nesërmen”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në: