Kurti: Edhe pas njëzet vjetësh, unë e gjej veten duke luftuar për një Kosovë të pavarur dhe sovrane

Kurti: Edhe pas njëzet vjetësh, unë e gjej veten duke luftuar për një Kosovë të pavarur dhe sovrane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, përmendi para kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, kohën që ai kaloi në burgjet serbe.

Vetë Kurti përmes profilit të tij në Facebook ka treguar se në fjalën e tij në Këshillin e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës ka thënë se edhe pas njëzet vjetësh ai e gjen veten duke luftuar për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, përcjell Periskopi.

“Njëzet vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, por ende e gjejmë veten, dhe unë e gjej veten, duke luftuar për të njëjtat kauza dhe duke u përballur me kërcënime jo aq të ndryshme. Kauza e një Kosove sovrane dhe të pavarur, e cila tani është një realitet i njohur nga shumë dhe i mohuar nga pak, dhe kërcënimi në rritje nga fqinji agresiv”, tha Kurti.

Ai ndër të tjera ka shtuar se nuk ka vend më të mirë se në “shtëpi të Evropës dhe në këtë familje të madhe evropianësh që t’i ndaj këto kujtime dhe të bëj thirrje për më shumë zgjim, ndërsa ne së bashku përballemi me një kërcënim në rritje të autokratëve që po rriten gjithnjë e më shumë”.

Fjalimi i plotë në Këshillin e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës të kryeministrit Kurti:

Në këtë ditë, dy dekada më parë, u lirova nga burgu i Nishit në Serbi. Isha arrestuar më 27 prill 1999 në Kosovë, vetëm 34 ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe caqeve të saj ushtarake e paraushtarake për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.
Njëzet vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, por ende e gjejmë veten, dhe unë e gjej veten, duke luftuar për të njëjtat kauza dhe duke u përballur me kërcënime jo aq të ndryshme. Kauza e një Kosove sovrane dhe të pavarur, e cila tani është një realitet i njohur nga shumë dhe i mohuar nga pak, dhe kërcënimi në rritje nga fqinji agresiv.
E nuk ka vend më të mirë se në këtë shtëpi të Evropës dhe në këtë familje të madhe evropianësh që t’i ndaj këto kujtime dhe të bëj thirrje për më shumë zgjim, ndërsa ne së bashku përballemi me një kërcënim në rritje të autokratëve që po rriten gjithnjë e më shumë.
Takimi i sotëm i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovë, është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA).
Në këtë takim dhe takime të ndara me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi dhe Përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajčák theksova domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe rikonfirmova gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën evropiane.
Fjala ime në Këshillin e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës: https://kryeministri.rks-gov.net/fjalimi-i-kryeministrit…/

Shpërndaje në: