Kurti flet në Austri për heqjen e vizave: Presim të ndodhë më 2022

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosovës do të duhej t’i hiqeshin vizat në vitin e ardhshëm, pasi ka ardhur koha për një gjë të tillë.

Kurti komentet i bëri në Austri në diskutimin “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”

“Unë mendoj se është koha e duhur për Kosovën që të kemi liberalizim të vizave diku vitin e ardhshëm. Kjo nuk varet natyrisht nga ne. Por kurdo që takohemi kolegët evropianë dhe miqtë të gjithë e shohin si padrejtësi të madhe për Kosovën dhe në anën tjetër BE ka më shumë vetëbesim dhe kjo përkthehet në një besueshmëri më të madhe në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme në shtator 2019, e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e BE-së për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.

Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator 2018 dhe mars 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE-së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.

Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së, pasi Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.