Kurti harron kërcënimet e Luan Dalipit e Prindon Sadriut, thotë se mediat në Kosovë kanë liri

Kurti harron kërcënimet e Luan Dalipit e Prindon Sadriut, thotë se mediat në Kosovë kanë liri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e  Evropës, shkruan Periskopi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ky aplikim është mundësi që Kosova të përparojë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Por, ajo që bie në sy në shkrimin e tij është vlerësimi i tij për lirinë e shprehjes.

“Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet”, ka shkruar Kurti.

E, kjo nuk ishte vlerësuar njejtë në raportin e DASh për Kosovën.

Raporti theksoi se ndonëse Qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, raportet e besueshme thonë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.

Shembull kemi ‘Zotëriun e Parë’, Prindon Sadriu i cili i quajti mediet “ndërmarrje të përbashkëta kriminale’, ndërsa shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi përmes një postimi në Facebook kishte sulmuar mediet, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

Postimi i plotë:

KOSOVA APLIKON PËR ANËTARËSIM NË KËSHILLIN E EVROPËS

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim.

Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Shpërndaje në: