Kurti i afrohet pak minishengenit, ja çka thotë tash

Kurti i afrohet pak minishengenit, ja çka thotë tash

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po merr pjesë në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Investimet në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër.

Kurti në një intervistë shpalosi objektivat e qeverisë që udhëheq.

Ai tha se luftimi i korrupsionit do të jetë prioritet për të.

“Ne do të fokusohemi në zbatimin e ligjit për ta luftuar korrupsionin dhe për garantuar investimet dhe nga ana tjetër ne do të lidhim tregun e punës me edukimin e duhur dhe për këtë na duhet një infrastrukturë e mirë, e veçanërisht transporti hekurudhor, në të cilën BERZH do të mund të na ndihmojë shumë dhe rrugët rajonale që të kemi lidhje më të mirë si brenda vendit dhe me fqinjët. Ne kemi një rini mjaftë të arsimuar në aspektin teknologjik, por neve na duhen investimet e duhura. Po ashtu, ne kemi nevojë për investime të huaja që të kemi rritje ekonomike”, ka deklaruar Kurti.

I pari i qeverisë theksoi se ndihma e BERZH-it i nevojitet Kosovës për të rehabilituar transportin rrugor dhe atë hekurudhor.

“Në drejtim të kësaj, ne do të fokusohemi që ta lidhim Prizrenin me Tetovën, po ashtu rehabilitimin e transportit hekurudhor nga jugu në veri, duke filluar nga Hani Elezit kufirit me Maqedoninë e Veriut, dhe në drejtim të Leshakut në kufi me Serbinë. Ky Samit ishte një mundësi e mirë që të diskutojmë me shefat e vendeve të tjera”, shtoi ai.

Kurti theksoi se investimet e diasporës do ta ndihmonin Kosovën.

“Ne kemi diasporë të madhe dhe investimet prej tyre do ta ndihmojnë Kosovën jashtëzakonisht”, tha Kurti në samitin e BERZH-it.

 

Shpërndaje në: