Kurti: Kërkesa për kompromise e Vuçiqit kur thotë se nuk do ta njohë Kosovën, nuk është kërkesë për zgjidhje

Kurti: Kërkesa për kompromise e Vuçiqit kur thotë se nuk do ta njohë Kosovën, nuk është kërkesë për zgjidhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me me ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, ka folur për takimin që pati dje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, takim ky që nuk solli ndonjë përparim në dialog.

Sipas Kurtit, dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje ku në qendër ka njohjen reciproke.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, do të ketë edhe elemente tjera, por të cilat nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke”, tha Kurti në konferncën e përbashkët me Ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, as para vitit 2008 kur ka shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur është dhënë opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , kur e vlerësoi pavarësinë legjitime, as para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë”.

Kryeministri Kurti ndër të tjera tha se kërkesa e Vuçiqit për kompromise kur thotë se ”nuk do ta njoh Kosovën”, nuk është kërkesë për zgjidhje.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara, Presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviqi edhe nga Putini. Kërkesa për kompromise, kur thotë se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nga Millosheviqi e Putini, nuk është kërkesë për zgjidhje”./Periskopi/

Shpërndaje në: