Kurti kurthohet në zotimin e vet për themelimin e Zajednicës, Franca e Gjermania ia vendosin kusht themelimin e saj për anëtarësim në KiE

Kurti kurthohet në zotimin e vet për themelimin e Zajednicës, Franca e Gjermania ia vendosin kusht themelimin e saj për anëtarësim në KiE

Derisa Asambleja e Përgjithshmë Parlamentare para pak ditësh i tha PO anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gjermania dhe Franca e filluan presionin ndaj kryeministrit Albin Kurti për themelimin e Asociacionit. Këto thirrje të tyre po vijnë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ku pritet që në maj të votohet për anëtarësimin e Kosovës, shkruan Periskopi.

Çka i thanë Franca dhe Gjermania mbrëmë Kurtit?

Dje presidenti francez Emmanuel Macron e ka telefonuar kryeministrin Kurti. Siç njofton presidenca franceze, Macron rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin evropian”.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetje ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”.

Në njoftim, thuhet po ashtu se presidenti Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.

Ndërsa këtë kërkesë të shefit të Republikës së Francës nuk e priti fort mirë kryeministri Kurti, i cili deklaroi se i ka kërkuar Macronit mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa kushtëzime të mëtejme, që i bie që të japë votën e saj pa dërgimin e draft statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri informoi se Macron ka insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

“Në një telefonatë me Presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votë historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, shkruan Kurti.

Po dje edhe Gjermania i çoi mesazh Kurtit në lidhje me formimin e Asociacionit. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet të bëjë “hapa të prekshëm” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të anëtarësohet në Këshill të Evropës.

“Duhet bërë hapa të prekshëm, sepse Këshilli i Evropës i kushton rëndësi të veçantë çështjes së të drejtave të pakicave. Mënyra më e mirë për të treguar se Kosova është e përkushtuar për ta zbatuar atë është fillimi i implementimit të Asociacionit. Pra, të bëjë një hap të prekshëm, sepse edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka thënë se duhet bërë pas pranimit”, tha Rohde në KTV.

Rohde ka thënë se “sa më shumë që bëhet para takimit të Komitetit të Ministrave, aq më e madhe është mundësia për një votim të suksesshëm”.

Vjosa Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

Vjosa Osmani: Plani natyrisht është i qartë. Duhet të përfundojë marrëveshja e sekuencimit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë. Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Si Presidente e vendit unë kam një sërë shqetësimesh lidhur me draftin, por kam besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese do të sigurohet që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e vitit 2015, sepse përndryshe mendoj që shumë gjëra mund të keqpërdoren në praktikë gjatë interpretimit të statutit dhe mund të shkaktohen probleme të mëdha, të cilat pastaj do të jetë vështirë që të menaxhohen pa u krijuar tensione. Kështu që edhe për shkak të sigurisë, e cila është e domosdoshme për shkak të stabilitetit, i cili është parakusht për paqe, por mbi të gjitha për shkak se duhet ta ruajmë funksionalitetin e shtetit tonë, duhet të jemi të sigurt që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën para se të ndërmerren hapa për zbatimin e plotë të Asociacionit.

Zëri i Amerikës: A pritet që statuti që bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë Kosovës për Asociacionin të shkojë së shpejti në Gjykatën Kushtetuese?

Vjosa Osmani: Unë nuk mund të përcaktojë afate. Sipas statutit por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës. Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë, mirëpo kjo varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut. Siç e përmenda, duhet të kemi plan sekuencimi, i cili parasheh qartë se cili hap nga Kosova ndërmerret i pari, cili hap nga Serbia ndërmerret po ashtu paralelisht, në mënyrë që të dyja palët të zbatojnë në paralel dhe të dyja palët të përfitojnë.

Por nuk mundemi ne të kërkojmë nga Kosova zbatim të pjesës kryesore të marrëveshjes, kurse nga Serbia, ta zënë, të mos kërkojmë që të votojë pro në Këshillin e Evropës. Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen. Dhe njësoj e tha edhe Vuçiçi sot në Këshillin e Sigurimit, që ata e duan Asociacionin, por pa ndërmarrë asnjë hap drejt njohjes reciproke, qoftë de facto apo de jure në raport me Kosovën. Marrëveshja, në fakt, i ka të gjithë elementët e njohjes de facto, që nga njohja e sovranitetit e integritetit territorial e deri tek parimet tjera të Kartës së OKB-së, të cilat vlejnë vetëm mes shteteve. Por ata po e thonë qartë që nuk do ta zbatojnë./PERISKOPI

Shpërndaje në: