Kurti lavdëron punën e drejtuesve të Doganës: Të hyrat u rritën për 14%

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës që i ka bërë Doganës së Kosovës, ka thënë se kjo vizitë në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për këtë institucion.

Me këtë rast, shefi i ekzekutivit u shpreh se rritja e të hyrave nga Dogana e Kosovës është 14 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Kurti ka thënë se vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve për këtë vit ka shkuar në 5 milionë, nga 2 milionë sa ishte një vit më parë.

“Unë jam i kënaqur që patëm një vizitë në Dogana e Kosovës dhe kjo vizitë është mirënjohje dhe falënderim për udhëheqjen e Doganës. Policia dhe Dogana janë thelbi i sigurisë së shtetit tonë dhe kur kjo siguri i shtohen të mirat, atëherë nuk mund të themi se nuk shpreh gatishmëri më të shtuar në vijim”.

“14 për qind janë rritur të hyrat krahasuar me vitin e kaluar, vjet kishim 2 milionë euro konfiskime ndërsa këtë vit kemi pesë milionë euro. Edhe besueshmëria tek qytetarët për Doganën është rritur”, tha Kurti.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se të hyrat në këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar.

“Ne e njoftuam kryeministrin se dogana vazhdon të ketë performancë më të mirë se vitin, ku këtë vit kemi të hyra 14 për qind më shumë se vitin e kaluar. Gjithashtu e njoftuam për rezultatin në mbrojtje të shoqërisë”, tha Llugaliu.