Kurti më 2002: Rugova ishte kundër UÇK-së sepse ideja e tij ishte të bllokonte çdo lëvizje çlirimtare

Kurti më 2002: Rugova ishte kundër UÇK-së sepse ideja e tij ishte të bllokonte çdo lëvizje çlirimtare

Më 18 shkurt 2002, në një intervistë për tv Vali e cila gjendet në YouTube, lideri i Vetëvendosjes, tani kryeminister Albin Kurti, deklaronte se Ibrahim Rugova “ka qenë kundër UÇK-së” sepse ideja e tij ka qenë ‘të pengojë çfarëdo dinamizimi të çfarëdo lëvizjeje çlirimtare’.

Në minutën 1:06:40 të videos së mëposhte, gazetari pyet Kurtin, duke ia transmetuar në fakt një pyetje të shikuesve, se pse Ibrahim Rugova nuk e ka pranuar UÇK-në si ushtri, ndërkohë që përgjigja e Kurtit është kjo:

“Pse ai nuk e ka pranuar, mendoj se nga vetë sjellja e Rugovës në vitet e 90-ta të ishte shumë e qartë pse nuk ka pranuar. Dhe do të ishte shumë ma interesante pyetja pse nuk e ka pranuar sikur ta pranonte. Nuk ka qenë fare e çuditshme pse nuk e ka pranuar. Ne e dimë politikën dhe sjelljen e Rugovës, ideja e Rugovës ka qenë të pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dimanizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare dhe rezistencës aktive”, deklaronte Kurti më 2002.

Ndërkohë, në një deklaratë të mëvonshme, mes shumë deklaratave të tjera, në emisionin Click të RTV 21, Kurti kishte goditur Isa Mustafën përmes një deklarate, duke thënë se ‘ai shkonte vetëm te varri’ ndërkohë që për veten, pra Kurti, deklaronte se ‘Rugovën e kishte takuar edhe sa ishte gjallë’.

“Po është e vërtetë që unë nuk kam shku te varri i Rugovës, po është poashtu e vërtetë që unë e kam takuar atë sa ka qenë gjallë ndërkohë që kryetari aktual i LDK-së shkon veç te varri i Rugovës. Se ka disa njerëz që vijnë vec te varri.  Ai ka qenë për një rezistencë paqësore për bindjen time passive, dhe unë kam qenë për rezistencë active me protesta e demonstrata”, deklaronte Kurti, përcjell Periskopi.

Shpërndaje në: