Kurti më 2019: Mësimdhënësit kanë të drejtë, sepse janë edhe prindër, fajet i ka qeveria

Kurti më 2019: Mësimdhënësit kanë të drejtë, sepse janë edhe prindër, fajet i ka qeveria

Gjatë ditë së djeshme Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, bashkë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë zhvilluar një protestë para qeverisë, Miratimi i Ligjit të pagave, zbatimi Ligjit për sigurimet shëndetësore dhe heqja e kufizimit të përvojës së punës për pension të plotë kontributdhënës, ishin ndër kërkesat kryesore të mësimdhënësve në protestën e mbajtur në Prishtinë.

Rreth kësaj proteste, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka bërë ende një reagim, edhe pse sindikatat kanë paralajmëruar të parin e qeverisë që, nëse nuk u plotësohen kërkesat atëherë do të ketë grevë të përgjithshme.

Në anën tjetër, para disa vitesh, me saktë në vitin 2019, kur edhe atëherë qeveria e asaj kohe përballej me kërkesa të sindikatave, Kurti, u kishte dalë në përkrahje mësimdhënësve duke kritikuar ashpër qeverinë, për të cilën thoshte se nuk i vlerëson shërbyesit publik por shërbëtorët politikë.

“Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre”, thoshte i pari i qeverisë.

Tutje ai shtonte, se zgjidhja ishte që mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kushtin që ta vendosin theksin tek zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar.

“Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, përfundonte Kurti në një postim të tijin në vitin 2019.

Ndërsa sot, kur qeveria po përballet përsëri me protesta e paralajmërime nga SBASHK-u dhe BSPK, Kurti, jo vetëm që nuk ka treguar gatishmëri për të diskutuar me udhëheqësit e sindikatave, por edhe ka hedhur kritika në drejtim të tyre.

Këtu kujtojmë rastin kur i pari i qeverisë, në një fjalë të tijën gjatë një seance parlamentare nuk kishte hezituar të deklaronte që, sipas tij, pra sipas Kurtit, është e nevojshme që të ketë ndryshime në udhëheqësit e sindikatave, duke përfshirë këtu pikërisht edhe SBASHK-un të cilës një kohë i dilte krah.

Kundër këtij deklarimi të Kurtit, sigurisht nuk ka vonuar përgjigjja nga SBASHK-u. Sekretari i kësaj sindikate, Ymer Ymeri, për deklarimin e Kurtit kishte thënë se janë “fjalë të kota”.

“Sindikatat janë të pavarura që zgjidhen në anëtarët e saj, kështu që janë fjalë të kota të kryeministrit sepse nuk mund të ndikojë, së paku po flas për SBASHK-un”, ka thënë Ymeri.

Kritikat në drejtim të Kurtit, nuk kanë munguar as gjatë protestës së djeshme, ku Jasharaj i ka dërguar mesazh Kurtit duke i thënë që të kthehet në Kosovë e mos të qëndrojë në Amerikë.

Madje, ai ka shtuar që nëse ka reflektim nga qeveria atëherë mund të ketë grevë të përgjithshme.

“Në të kundërtën, pas kësaj proteste, do të ketë veprime edhe më të rënda, që ne nuk i duam, por ju siç duket po i doni. Heshtja e Qeverisë, nënkupton se ata e dijnë që ne kemi të drejtë. Ne duam Ligj të Pagave, por jo Ligj që na e punon dikush, por që e punojmë edhe ne. Ose do të bisedojmë, ose do të shkojmë në greva të përgjithshme”, ka deklaruar Jasharaj.

Ajo çfarë mbetet të shihet është nëse, Kurti i cili gjendet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas kthimit të tij, do të krijojë një ambient më të përshtatshëm me sindikatat për diskutim, e kësisoj të krijohen kushte për një marrëveshje mes qeverisë dhe sindikatave. /Lajmi.net/

Shpërndaje në: