Kurti në Slloveni: Partneriteti me SHBA’në është shumë i rëndësishëm dhe i fortë

Kurti në Slloveni: Partneriteti me SHBA’në është shumë i rëndësishëm dhe i fortë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka thënë se zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndodhin krahë për krahë me njëra tjetrën.

Në panelin me liderët tjerë të rajonit ballkanik, Kurti përmendi pritjen e rreth 2000 afganëve në Kosovë.

Ai tha se Kosova është vend i varfër, por kur bëhet fjalë për çështje humanitare nuk pyesin pse, por vetëm si.

Ndërkohë, theksoi se partneriteti me SHBA-të për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe i fortë.

“Ne besojmë që BE duhet mbrojtur dhe përkrahur, për këtë qëllim duhet të kryejmë reformat në vendet tona, por të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së. Zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat tona shkojnë krahë për krahë, besoj, sidoqoftë se duhet të ketë një sërë reformash edhe në sistemin vendimmarrës të BE-së. Hapat më të guximshëm do të bëjnë më të mundur ketë. Kemi pritur rreth 2000 afganë në Kosovë, jemi vend i varfër, por besojmë se kur bëhet fjalë për çështje humanitare pse, por vetëm të themi si, plus partneriteti me SHBA, për ne është shumë i rëndësishëm dhe shumë i fortë”, tha Kurti.

Për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE, Kurti përmendi edhe dy fakte që mund të përfitojnë dy palët.

“Unë besoj se përfshirja e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor do të ketë dy përfitime të mëdha për dy palët. Së pari, kufiri i jashtëm i BE-së do të zvogëlohet me mijëra kilometra, sepse ne nuk jemi fqinje me BE-në, por rrethohemi nga BE. Përveç kësaj, një në tre qytetarë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk banon në vendet e tyre, por në BE. Kështu që me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE diaspora jonë do të jetoj në të njëjtën hapësirë dhe kjo do të jetë shumë mirë për ekonominë”, tha ai.

Shpërndaje në: