Kurti nesër pret Jasharajn në takim

Kurti nesër pret Jasharajn në takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do zhvillojë të martën takim me Këshillin Grevist të BSPK-së.

Këtë e ka konfirmuar për klankosova.tv, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se takimi mes tyre është paraparë të mbahet në mëngjes.

Pas një takimi të dielën, kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, morën vendim që greva të vazhdoi për kohë të pa caktuar.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës thotë se projektligji që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

Për grevën ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve.

Ata thonë se për shkak të situatës së krijuar shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.

“Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, greva e SBASHK-ut ka nisur më 25 gusht, duke lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës.

Kërkesat e tyre janë pagesa e 100 eurove për çdo muaj deri në miratimin e ligjit për pagat dhe pjesëmarrja e tyre në dialogun social.

Shpërndaje në: