Kurti nuk ua përmend emrat ish-krerëve të UÇK-së, u referohet si shqiptarë të akuzuar

Kurti nuk ua përmend emrat ish-krerëve të UÇK-së, u referohet si shqiptarë të akuzuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë dy orëshe me avokatët e ish-pjestarëve të UÇK-së të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë. Siç ka njoftuar ZKM-ja, ky takim është mbajtur për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga avokatët në adresë të Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, ajo që ‘bie në sy’ është se në njoftimin e ZKM-së, krerët e UÇK-së referohen si ‘shqiptarë të akuzuar’.

“Kryeministri Kurti sot bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Takimi u mbajt online dhe zgjati gati dy orë dhe gjatë tij u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”.

Kurti ka propozuar që takime të tilla të bëhen të rregullta.

“Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrisë.

Shpërndaje në: