Kurti: Paragjykimet duhet t’i luftojmë, s’kemi jetë të grave dhe vajzave për të humbur

Kurti: Paragjykimet duhet t’i luftojmë, s’kemi jetë të grave dhe vajzave për të humbur

1/10 e qytetarëve në Kosovë mendojnë se gratë duhet të pajtohen me dhunën për të mbrojtur familjen e tyre. Ndërsa 1/3 e tyre pajtohen se burrat në vend janë të dhunshëm.

Kështu u tha në takimin konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën post Covid-19”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjinore.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se në Kosovë ka pabarazi të thella, dhe neglizhencë të institucioneve për mbrojtje të grave.

Ai derisa ka përmendur rastet e vrasjeve të grave nga burrat, ka shtuar se nuk ka jetë të grave për t’u humbur.

“Kjo qeveri e ka bërë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës së grave. Ne po punojmë në tri frone, ku çdo grua ka mundësi për mbrojtje juridike falas. Punë e vlefshme përmes zyrës së koordinatorit kundër dhunës në familje drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave. Së fundmi dua të përmend strategjinë kombëtare e cila ka për qëllim zbulimin e hershëm dhe parandalimin e dhunës. Tema për cilën po flasim sot është shumë e ndjeshme. Pabarazitë dhe paragjykimet duhet t’i luftojmë. Nuk kemi jetë të grave dhe vajzave për të humbur”, ka shtuar ai.

Kurti ka shtuar se emancipimi i burrave është me rëndësi për të parandaluar këto raste. Shefi i ekzekutivit theksoi se jeta e dinjitetshme është e drejtë themelore për gratë.

E, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u zotua se kanë prioritet trajtimin e dhunës që ushtrohen ndaj grave.

“Gjatë gjithë këtyre muajve sa jemi në qeveri kemi ndërmarrë nisma serioze për adresimin e këtij fenomeni. Prej janarit deri në këtë muaj kemi 2000 raste të dhunës në familje që janë raportuar. Zhvillimi ekonomik po ashtu dhe drejtësia janë të domosdoshme për të zvogëluar numrin e rasteve të dhunës në familje. Vetëm 13 përqind e grave janë pjesë aktive të tregun të punës. Dhe këto shifra flasin për përjashtim të grave nga tregu i punës”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se është detyrim për të garantuar të drejtën për jetë dhe pa dhunë.

Më tej, kryeshefja ekzekutive për Agjenci për Barazi Gjinore nga zyra e kryeminsitrit, Edi Gusia tha se janë ndarë 1 milion euro për 115 kopshte dhe 630 mijë euro për organizata joqeveritare.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se e drejta e grave për të jetuar pa dhunë varet nga mbrojtja e shtetit. Sipas saj, kjo duhet të jetë prioritet për institucionet e vendit dhe se qeveria dhe parlamenti kanë detyrim ligjor për të mbështetur dhe zbatuar Konventën e Stambollit.

“1/3 e qytetarëve pajtohen se burrat janë të dhunshëm. Ndërsa, 1/10 pajtohen plotësisht se gratë duhet të pajtohen me dhënën për te ruajtur familjen. Gratë duhet të kenë qasje në polici për të paraqitur kallëzim penal. Gratë duhet të informohen për te drejtat e tyre për të marrë shërbime të lehta. Kemi nevojë për më shumë gra police dhe prokurore”, ka thënë ajo.

Shpërndaje në: