Kurti përgjigje Lajçakut për vendimin për targat e dokumentet: Ai ka qenë i informuar

Kurti përgjigje Lajçakut për vendimin për targat e dokumentet: Ai ka qenë i informuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e targave të automjeteve ka qenë qysh nga koha e pasluftës, “trashëgimi e strukturave të lëna nga Millosheviqi”, regjimi i të cilit, ka thënë Kurti, “nuk do të mund të vazhdojë në Kosovë pafundësisht”.

Ai para mediave ka thënë se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është i njoftuar për secilin vendim që merret.

Tha se në korrik pritet takim i kryenegociatorëve por la të ketë diçka më shumë përveç tij.

“Ne në mënyrë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dymujore për ta bërë një konvertim të tillë i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne. Edhe Lajçak është vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona, e di që ekziston një plan për takim në muajin korrik, edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq. Do ta shohim si e sa do të përgatiten në Bruksel për këtë”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Beogradi po bën gabim me paralajmërimin për të dalë nga dialogu dhe se këtyre paralajmërimeve tha se janë trembur vetëm zyrtarët në Bruksel.

“Jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me njohje reciproke në qendër. Problemi mbase ekziston te paralajmërimet nga Beogradi se ata do të dalin nga procesi i dialogut. Po bëjnë gabim por kjo mund ta ketë ndoshta edhe pak trembur dikë në Bruksel”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, u përgjigj edhe për postimet e para disa vjetëve të ministrit të Financave, Hekuran Muratit, në Facebook, për UÇK-në. Kurti tha se komentet e kamotshme nuk janë prioritet për të.

“Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështjet madhore, çka shkruajnë komentuesit për komentime të para shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.

Shpërndaje në: