Kurti pret në zyre komandantin e KFOR-it, ky i fundit i vlerësoi lart policët e Kosovës në Veri

Kurti pret në zyre komandantin e KFOR-it, ky i fundit i vlerësoi lart policët e Kosovës në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka pritur në zyrë komandantin e KFROR-it, gjeneral Major Ferenc Kajári.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kajari e ka lavdëruar Policinë e Kosovës për sjelljen e para një jave në veri. “Bashkëpunimi i Qeverisë me KFOR-in ishte tema kryesore e takimit”

“Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë, ishin në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári”, ka njoftuar ZKM.

Në takim, ZKM thotë se “u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it”.

“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”, thotë Zyra e Kryeministrit.

Në takimin e përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti thuhet se shprehu gatishmërinë e Qeverisë dhe institucioneve tjera të vendit për bashkëpunim. Në anën tjetër, sipas ZKM-së, Kajari e cilësoi si të mirë bashkëpunimin.

“Komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë”, njoftoi ZKM.

 

 

Shpërndaje në: