Kurti s’e ka plan ta shkarkojë Rakiqin: Duan të na krijojnë konflikt të ri brendaqeveritar

Kurti s’e ka plan ta shkarkojë Rakiqin: Duan të na krijojnë konflikt të ri brendaqeveritar

Kryeministri Albin Kurti vlerëson se thirrjet për ta shkarkuar ministrin për Kthim dhe Komunitete Goran Rakiq sa i përket pjesëmarrjes së tij në bllokadën e serbëve të veri të vendit kanë për synim të krijojnë konflikt brendaqeveritar.

Shefi i qeverisë në konferencën e jashtëzakonshme për media tha se nuk i kontribojnë strategjisë së qeverisë thirrjet që të shkarkohet tash ministri Rakiq.

“Thirrjet për ta shkarkuar në këtë moment ministrin Rakiq nuk janë thirrje që i kontribojnë strategjisë tonë dhe më shumë kanë për synim që të na krijojnë njëfar konflikt të ri brendaqeveritar, në kushtet kur policia e Kosovës me ligjshmërinë që po e zbaton është kryefjala e situatës së sigurisë dhe politike. Mua më duket që është më shumë kërkesë për ndërhyrje në strategjinë tonë sesa që bëhet nga ndonjë motiv i lartë për të mirën e Kosovës”, tha Kurti.

Ai foli edhe për reagimet e BE-së dhe ShBA-së lidhur me atë se a duhet të fajsohet Serbia për situatën në veri.

“Ata që kanë dashur të shohin e kanë parë, a vendosin të flasin nuk është çështje e imja, ne jemi në një betejë të sigurisë dhe duhet të kemi kujdes në hapat që do të ndërmarrin”, tha Kurti.

Shpërndaje në: