Kurti s’figuron në mesin e folësve në Forumin e Paqes në Paris, Bërnabiqi po

Kurti s’figuron në mesin e folësve në Forumin e Paqes në Paris, Bërnabiqi po

Krerë të shteteve, kompanive të ndryshme e pjesëtarë të shoqërisë civile, për dy ditë do të bëhen bashkë, si pjesë e diskutimeve në kuadër të Forumit të Paqes në Paris. Krahas shteteve të tjera, nga Kosova do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Por, derisa nga zyra e tij nuk kanë bërë të ditur agjendën, ai nuk figuron të jetë në mesin e folësve të këtij forumi.

Për në Paris ka udhëtuar këtë të enjte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, i cili do të bëjë bashkë krerët e shteteve, të kompanive të ndryshme e pjesëtarë të shoqërisë civile.Por, nga Qeveria e Kosovës, përveç konfirmimit të pjesëmarrjes së Kurtit, nuk janë dhënë detaje të agjendës së tij atje.

Në uebfaqen zyrtare të këtij forumi, emri i kreut të Qeverisë nuk figuron si folës në punimet e këtij organizimi, i cili është duke u mbajtur për të katërtën herë me radhë.

Ndryshe nga Kurti, në krye të listës së folësve është kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ajo madje ka bërë të ditur se Kosova do të jetë një nga temat e diskutimit në takimet që do të ketë në Francë, në kuadër të qëndrimit të saj atje.

“Për nesër po përgatitet edhe sesioni i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s dhe shënimi i 75-vjetorit të UNESCO-s. Do t’i kthehem dhe të merrem me çështjen e Kosovës, ashtu si edhe trashëgimisë sonë kulturore e historike, kishave e manastireve në Kosovë, që janë nën mbrojtjen e UNESCO-s”, ka thënë ajo.

Udhëtimin e tij për në Francë, sipas profesorit Dritëro Arifi, kryeministri Kurti duhet ta shfrytëzojë për të kërkuar heqjen e vizave për Kosovën.

“Konferenca e Paqes, në Paris ku ka me marrë ftesë edhe Kurti, unë e shoh si shumë pozitive pavarësisht problemeve që mund t’i ketë Kosova me Francën për shkak të mosliberalizimit të vizave, sepse Franca është ai çelësi, që hap derën apo e mbyll derën në këtë aspekt, dhe në këtë këndvështrim e shoh shumë pozitive sepse atëherë kryeministri mundet të lobojë për çështjet politike dhe për liberalizimin vizave që është çështje shumë vitale për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Arifi.

Punimet e forumit, i cili ka nisur të enjten, janë planifikuar të përmbyllen më 13 nëntor, derisa ndër të tjerash pritet të diskutohen problemet e shkaktuara nga pandemia e përmirësimi i qeverisjes globale në kohën e COVID-19.

Shpërndaje në: