Kurti takon QUINT-in: Për dialogun dhe gjendjen e sigurisë në vend dhe rajon

Kurti takon QUINT-in: Për dialogun dhe gjendjen e sigurisë në vend dhe rajon

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, i kanë shkuar në zyrë kryeministrit Albin Kurti, takim për të cilin Qeveria njofton si më poshtë:

Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUINT-it, ishte në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.

Gjithashtu u fol edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe gjendjen e sigurisë në vend e rajon.

Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve,  me njohjen reciproke në qendër.

 

Shpërndaje në: