Kurti tash një vjet: Jemi mirë në sondazhe, zgjedhjet mund të mbahen, me maska e dezinfektues

Periskopi.com Lajme

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë në shtatorin e vitit të kaluar në emisionin “DESKU” të KTV-së, kishte treguar se kishin filluar përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në parti. Kurti thoshte se përmes procesit zgjedhor në parti do të dëshmonin se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve edhe në nivel vendi edhe pse në situatë pandemike.

Kurti thoshte se do të përdoreshin maskat e dezinfektuesit, derisa përmendte mbajtjen e zgjedhjeve në Kore të Jugut dhe vende të ndryshme në Ballkan për të mbështetur kërkesën e tij për mbajtjen e tyre.

“Kemi filluar procesin e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe po e bëjmë si një provë këtë çështjen e zgjedhjeve, do të dëshmojmë që është e mundshme të mbahen, me maska e dezinfektues. Prej Koresë së Jugut që po mbahen zgjedhjet deri në vendet Ballkanike, u pa që është e realizueshme një gjë e tillë edhe unë mendoj që duhet të mbahen zgjedhjet në Kosovë”, kishte deklaruar Kurti.

Më tej kërkesën për mbajtje të zgjedhjeve e arsyetonte me faktin se partia e tij atë kohë qëndronte mirë në sondazhe dhe thoshte se partitë e tjera nuk duan mbajtjen e tyre meqë s’janë as sa 1/3 e mbështetjes VV’së.

“Edhe LDK edhe PDK nuk janë as në 1/3 e mbështetjes sa LVV. Ata i dinë këto sondazhe, prandaj nuk i duan zgjedhjet. Ky është problem, sepse ia dinë rezultatin”, kishte thënë Kurti.

Në këtë intervistë Kurti kishte folur si opozitar, pasi ishte rrëzuar nga pushteti si rezultat i prishjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, kur sot janë afruar zgjedhjet lokale, numri dy i partisë së Kurtit, Glauk Konjufca, e ka hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve.

Nga opozita, kjo ide e Konjufcës është kundërshtuar ashpër, derisa kanë thënë se është treguese që VV po frikësohet nga zgjedhjet.

Derisa tashmë kanë filluar përpjekjet për shtyrjen e zgjedhjeve. Presidentja Osmani ka ftuar në takim krerët e partive politike për të diskutuar raportine IKSHPK-së së Naser Ramadanit që rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve lokale, me arsyetimin se paraqet rrezik për përkeqësim të situatës pandemike.