Kurti tek kulla e Jasharëve: Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet fillestare

Kurti tek kulla e Jasharëve: Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet  fillestare

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka bërë sot homazhe në Prekaz me rastin e përvjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se në këtë përvjetor ka parë nga afër ndërhyrjet emergjente që duhet kryer në kullat e Jasharëve.

“Tre herë ia mësynë familjes dhe kullës së Jasharajve forcat policore e ushtarake serbe. Sot e përkujtojmë 24 vjetorin e sulmit të dytë. Me 22 janar 1998 u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari. Selvetja u vra në Epopenë e UÇK-së një muaj e gjysmë më vonë. Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet emergjente dhe fillestare në kullat e Jasharëve që për qëllim kanë mbrojtjen nga degradimi dhe konservimin e këtij margaritari të historisë sonë, sa të lavdishme aq edhe të dhimshme”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Ekzekutivit ka shtuar se angazhimi i Qeverisë për jetësimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz vazhdon me hartimin e detyrës projektuese dhe shpalljen e konkursit ndërkombëtar gjatë këtij viti.

Shpërndaje në: