Kurti tha “të gjitha dëshmitë” janë në Arkivat Serbe: Humanistja Kandiq beson krejt tjetërçka

Kurti tha “të gjitha dëshmitë” janë në Arkivat Serbe: Humanistja Kandiq beson krejt tjetërçka

Edhe nëse hapen arkivat në Serbi, ato nuk kanë dokumente të dobishme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve sepse informacionet dhe dokumentet kryesore janë në duart e komandantëve të luftës, thotë Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, shkruan REL.

Çështja e hapjes së arkivave në Serbi dhe në Kosovë, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999, ka nxitur polemika dhe debat në skenën politike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe udhëheqës i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, më 9 shtator ka deklaruar se në takimin në Bruksel, më 7 dhe 8 shtator, pala serbe ka deklaruar se janë të pajtimit që të hapen arkivat e saj në Serbi, por që edhe pala e Kosovës t’i hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën më 13 shtator, ka deklaruar se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet.

Ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë kanë reaguar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke i cilësuar si deklarata të dëmshme dhe të gabueshme.

Ndërkaq, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës thonë se Arkivi Qendror i Kosovës dhe shtatë arkivat ndërkomunale nuk kanë asnjë fond të dokumenteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë së informacionet lidhur me atë se palët në dialog, Kosova dhe Serbia, janë pajtuar t’i hapin arkivat me qëllim zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, nuk duhet marrë si fakt i kryer.

Siç thotë ajo, “do të hapet diçka që është plotësisht e padobishme ose pak e dobishme”, por, sipas saj, komandantë të luftës, oficerët, gjeneralët ose pjestarët e ushtrisë dhe policisë së Serbisë apo në anën tjetër pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë frikë se të dhënat mund të nxjerrin në dritë se kush saktësisht është përgjegjës për zonat e caktuara.

Sipas saj, të gjitha të dhënat që flasin se çfarë ka ndodhur saktësisht në ndonjë vend, në ndonjë komunë ku ka pasur një numër të caktuar të personave të zhdukur, ato me siguri se nuk ruhen në ndonjë hapësirë ose dhomë të caktuar, si të arkivuara në arkivat e ashtuquajtura sekrete të Serbisë.

“Lidhur me këtë, me siguri se informacionet nuk ruhen në atë mënyrë. Ato janë larguar dhe besoj që janë në duart e komandantëve të dikurshëm të luftës, sepse ata më së shumti janë frikësuar se një ditë mund të arrihet deri te zbulimi i atyre të dhënave dhe se mund të iniciohen procese për vërtetimin e përgjegjësisë së tyre penale. Në arkiva nuk gjenden ato që i kërkojnë pala e Kosovës dhe që do të ishin më se të vlefshme për zbulimin dhe konfirmimin e fakteve për varrezat masive dhe për të zhdukurit”, theksoi Kandiq.

Ajo shton se ngjashëm mund të qëndrojë situata edhe në Kosovë, ku të dhënat eventuale për ngjarjet që ndërlidhen me vrasjet, zhdukjet dhe varrezat masive ose individuale të serbëve, romëve dhe atyre që ishin besnikë ndaj regjimit, mund në jenë në duart e komandantëve të luftës në zonat e caktuara ku kontrollin e ka pasur UÇK-ja.

Kandiq vlerëson se për të arritur deri te të dhënat që çojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, autoritetet e të dyja palëve do të duhej të kenë vullnet politik për një gjë të tillë dhe qasje humane ndaj kësaj çështjeje humanitare.

“Mendoj që sikur të dyja palët të kenë nivelin e mirëkuptimit për rëndësinë që çështja e të pagjeturve të zgjidhet përfundimisht, atëherë ato do të duhej të niseshin secila palë nga gjeneralët dhe oficerët e lartë të tyre, me kërkesën që të raportojnë se çfarë ka ndodhur në zonën e caktuar, në vendin dhe lokacionin e caktuar, çfarë ka ndodhur me trupat dhe të arrihet deri tek ato informata”, thotë Kandiq.

Megjithatë, ajo nuk beson se zbardhja e fatit të personave të pagjetur do të jetë e mundur në rast se nuk formohet një komision ndërkombëtar që do të udhëhiqej nga dikush që ka përvojën profesionale për komunikimin ndërmjet palëve, lidhur me zbulimin e lokacioneve të personave të pagjetur, si dhe që ai të jetë objektiv dhe i paanshëm, si dhe të ketë mundësi qasjeje në të gjitha dokumentet që i kërkojnë.

Shpërndaje në: