Kurti thotë se po punojnë për çështjen e banesave sociale: Vlera, këstet dhe disa detaje të tjera

Kurti thotë se po punojnë për çështjen e banesave sociale: Vlera, këstet dhe disa detaje të tjera

Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë

Kryeministri, Albin Kurti, në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë tha se banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet. Me ç’rast ai theksoi edhe se funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme.

Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programi i banimit social parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.

Me këtë rast sipas komunikatës për medie nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti, ta ketë theksuar se brenda mandatit, synojnë ta krijojnë programin për banim social, si dhe të mundësojnë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

“Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë tryezë u prezantua dhe diskutua Koncept propozimi për Programin e Banimit Adekuat Social për Kosovë, që do të kontribuojë në lëvizjen drejt zbatimit të reformave të nevojshme për zhvillimin e sektorit të banimit, formulimin e politikave dhe ofrimin e banimit social për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.

Ky koncept propozim u diskutua nga përfaqësuesit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kuvendi i Kosovës, UN Habitat-it dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).

Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, në partneritet me UN Habitat-in Kosovë dhe mbështetur nga CEB.

Shpërndaje në: