Kurti – Vuçiq përballen në Davos: Çka u fol aty, çka dihet deri tani

Kurti – Vuçiq përballen në Davos: Çka u fol aty, çka dihet deri tani

Diskutimi mbi Ballkanin Perëndimor, në një panel në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, vuri përballë kryeministrin kosovar me presidentin serb sot në Davos të Zvicrës.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës e përshkroi këtë takim si “ofrim mundësie për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor, ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare”, por një version më ndryshe e dha Zyra e Presidentit të Serbisë në një postim në Instagram.

Vuçiq e quajti “diskutim të ashpër” diskutimin mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Diskutim i ashpër për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor me liderët europianë dhe rajonalë në World Economic Forum”, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Pjesë e panelit “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” ishte edhe ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe liderë të tjerë.

Vuçiq në kuadër të këtij forumi ka takur edhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, raportet me të cilin i lavdëroi, derisa e falënderoi edhe për “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”.

“Serbia dhe Greqia kanë prej 150 vitesh marrëdhënie jo vetëm miqësore, por edhe të vërteta vëllazërore dhe nuk ka asnjë çështje të hapur mes nesh. I jam mirënjohës popullit grek për mbështetjen e tij për integritetin territorial të Serbisë, si dhe për mbështetjen e madhe për rrugën europiane të vendit tonë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Krahas kryeministrit Kurti, në këtë sesion, diskutuan edhe: Andrej Plenkoviq, Kryeministër i Kroacisë, Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Odile Françoise Renaud-Basso nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Shpërndaje në: