Kurti zbulon përplasjet me Vuçiqin për Asociacionin: Nuk po e kundërshtoj unë por Kushtetuta

Kurti zbulon përplasjet me Vuçiqin për Asociacionin: Nuk po e kundërshtoj unë por Kushtetuta

Kryeministri Albin Kurti, gjatë diskutimit në Këshillin e Atlantikut, ka folur për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe diskutimet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kurti vlerëson se institucionet e Kosovës si Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese nuk e lejojnë Asociacionin e Komunave Serbe, e jo vetë ai si kryeministër.

“Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është dakorduar në Bruksel në gusht të vitit 2015 dhe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Para kësaj edhe pala serbe është pajtuar që do të mund të adresohej si çështje në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurti.

“Plani i Ahtisarit, i cili ka qenë  kompromis dhe është i përfshirë në Kushtetutën tonë, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike. Pra në frymë është plani i Ahtisarit që nuk lejon etnitete monoetnike”, shtoi ai.

“Monoetnike nuk është e mundur, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar më 23 dhjetor 2016. E mbaj mend shumë mirë se asnjë nga shtatë kapitujt e marrëveshjes nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe në total 23 nene cenohen, pra janë institucionet e shtetit, jo unë si kryeministër që nuk e lejoj Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Kurti.

“Presidenti i Serbisë e ka sjellë këtë si çështje në bisedimet tona dhe kam thënë që asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar ndonjëherë për mos zbatimin e marrëveshjes. Vetëm Beogradi po proteston. Kam marrë shumë letra nga serbët e Kosovës me kërkea të ndryshme. Asnjëherë askush s’më ka shkruar duke më thënë se dua Asociacion të Komunave me shumicë Serbe. Vetëm Beogradi e kërkon këtë dhe presidenti Vuçiq e kërkon këtë për hir të Serbëve. Si mund ta kërkojë këtë për serbët kur këta nuk e kërkojnë”, tha shefi i ekzekutivit.

Kurti foli edhe për bisedat me Vuçiq.

“I kam kërkuar Vuçiqit që të nënshkruajmë një deklaratë paqeje dhe mossulmimit, këtë e ka refuzuar. Pra jam atje si kryeministër edhe i Serbëve të Kosovës dhe jam kundër çfarëdolloj diskriminimi dhe nuk ka diskriminim për serbët në buxhetin e Kosovës”, shtoi ai.

“Pala homologe, presidenti i Serbisë në dy vitet e fundit ka qenë shumë i angazhuar në këtë projektin e këmbimeve territoriale me paraardhësit e mi. Besoj se kanë pasur fantazi tejet afatgjate për shkëmbimin e territoreve. Tani me pushtetin e ri, me ndryshimet demokratike në Kosovë, ne e zhvendosur këtë terren ku mbahet ky dialog nga ajo nota transaksionale në atë transformuese. Nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të fitojmë më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më shumë të drejta ose jetë më të mirë të qytetarëve. Qytetarët, duhet ta ndjejnë e të jetojnë më mirë nga dialogu. Jam optimist dhe shpresoj që situata do të ndryshojë për të mirë sepse mendoj se në të kundërtën e lidershipit, populli i Serbisë preferon një perspektivë europiane e jo ëndrrat e vjetra për Kosovën”, tha Kurti.

Shpërndaje në: